×
  • Lajme
  • Lajme / Reagime

    Posterët e Vuçiqit në veri, si u përplasën Sveçla e Petkoviq

    Reporteri
    30 Qershor 2024 | 23:29

    Në veri të Kosovës, mëngjesin e sotëm janë shfaqur disa posterë me imazhin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Në këto postera ku shihet Vuçiq, shkruhet edhe mesazhi “Komandant Suprem, ju presim”, raporton mediumi pro rus i kontrolluar nga regjimi i Vuçiqit.

    Këto postera janë shfaqur në katër komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe veri të Mitrovicës.

    Këto postera përplasën në distancë ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla dhe drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, shkruan Reporteri.net.

    Sveçla në një reagim të bërë në Facebook ka thënë se nëse Vuçiqi është nisur pa kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, atëherë ai do të arrestohet.

    “I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

    Nuk vonoi shumë dhe ministrit Sveçla i reagoi drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili tha për ministrin Sveçla se të vetmen gjë që mund të bëjë është të mburret në rrjetet sociale.

    “I frikësohet edhe një pamfleti me imazhin e Aleksandër Vuçiqit që dikush e ka ngjitur. E vetmja gjë që mund të bëjë është të mburret në rrjetet sociale!”

    Lidhur me këtë, zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net se rasti është hapur në Prokurori për “nxitje të urrejtjes”.

    “Në disa lokacione të 4 komunat e Veriut të vendit janë shpërndarë pamflete me foton e Kryetarit të Serbisë. Pas konsultimit me Prokurorin e shtetit është hap rasti Nxitje e Urrejtjes. Nuk kemi të dyshimtë, ndërsa policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit”, tha Elshani. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!