×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimi

    Posterët e Vuçiqit në veri, Sveçla: Nëse vjen, mund ta vizitoni në burg

    Reporteri
    30 Qershor 2024 | 14:16

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas vendosjes së disa posterëve në veri me imazhin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në një reagim të bërë në Facebook, Sveçla thotë se nëse Vuçiqi është nisur pa kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, atëherë ai do të arrestohet.

    “I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

    Sot në mëngjes, në disa lokacione janë parë posterë me imazhin e presidentit serb ku thuhej “Komandant Suprem po të presim”.

    Lidhur me këtë, zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net se rasti është hapur në Prokurori për “nxitje të urrejtjes”.

    “Në disa lokacione të 4 komunat e Veriut të vendit janë shpërndarë pamflete me foton e Kryetarit të Serbisë. Pas konsultimit me Prokurorin e shtetit është hap rasti Nxitje e Urrejtjes. Nuk kemi të dyshimtë, ndërsa policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit”, tha Elshani për Reporteri.net.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!