×
  • Lajme
  • Lajme / Deklarata për Reporteri

    “Pozita e nënkryetarit s’është objekt diskutimi me asnjë parti tjetër”, Bajrami flet për letrën që Kurti i dërgoi Abdixhikut

    Reporteri
    30 Prill 2025 | 18:04

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka folur për letrën që Kryetari Lumir Abdixhiku ka pranuar nga Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti për takim nesër në ora 08:30, duke thënë se nuk do të shkojë askush nga kjo parti.

    Bajrami për Gazetën Online Reporteri.net, ka thënë se pozita e nënkryetarit s’është objekt diskutimi me asnjë parti tjetër, pasi i takon LDK-së në bazë të rezultatit zgjedhor, e madje siç thotë ajo nënkryetarët votohen në pako nga Kuvendi, si praktikë e ndjekur deri tani.

    “Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka pranuar një letër nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje/deputeti Albin Kurti. Megjithatë, as kryetari Abdixhiku dhe askush nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të merr pjesë në këtë takim. Pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës është në bazë të rezultatit zgjedhor, dhe nuk është objekt diskutimi me asnjë parti tjetër. Për me tepër nënkryetarët votohën në pako nga Kuvendi, sipas praktikës së deritanishme”, ka thënë Bajrami për Reporteri.net.

    Për Kryeparlamentarin, deputetja Bajrami ka thënë për Gazetën Online Reporteri është çështje e marrëveshjes politike mes partive që synojnë të krijojnë shumicën, dhe se LDK e ka bërë të qartë që s’është e interesuar për një të tillë.

    “Ndërsa zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është çështje e marrëveshjes politike mes partive që synojnë të krijojnë shumicën dhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka e ka bërë të qartë se nuk është e interesuar për një marrëveshje të tillë”, ka thënë Bajrami.

    Në letrat e siguruara nga Gazeta Online Reporteri.net, Kurti përmendi se për konstituimin e Kuvendit, duhet zgjedhur Kryetarin e pastaj pesë nënkryetarët, ndërsa shpresonte për një përgjigje pozitive nga ana Abdixhikut dhe Krasniqit.

    “Me qëllim konstituimin e Kuvendit të Republikës, duhet zgjedhur kryesia e Kuvendit, së pari kryetari pastaj edhe pesë nënkryetarët. Duke u bazuar në Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë fituese që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët”, thuhet mes tjerash në dy letrat e dërguara në drejtim të Abdixhikut dhe Krasniqit.

    Ftesa e Kurtit për takim me Abdixhikun dhe Krasniqin vie vetëm pak orë para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që për herë të tetë dështoi të martën e 29 prillit.

    /Reporteri.net/

    “Së pari kryetari, pastaj pesë nënkryetarët”, kjo është letra që Kurti ua dërgoi Krasniqit dhe Abdixhikut për takimin nesër

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!