×
  • Lajme
  • Lajme / Mitrovicë

    Prani e shtuar e KFOR-it edhe sot mbi lumin Ibër

    Reporteri
    04 Shtator 2024 | 11:46

    Forca të shtuara të KFOR-it, janë parë sërish sot tek Ura mbi lumin Ibër.

    Në pamjet e publikuara shihen karabinierët italianë që edhe sot janë parë në prani më të madhe, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Gazeta online Reporteri.net ka pyetur misionin paqeruajtës për praninë e shtuar sot mbi lumin Ibër, por të njëjtit ende nuk kanë kthyer përgjigje.

    Kujtojmë se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka rritur praninë në urën kryesore mbi lumin Ibër më 31 gusht, një ditë pasi autoritetet e Kosovës mbyllën pesë komuna paralele serbe në veri të Kosovës.

    Aksioni është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos ndërmarrë veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.

    Mirëpo, KFOR-i në një deklaratë tha se dislokimi i trupave aty, vijon si pjesë e një trajnimi të paraparë në planet e tyre, për të mbrojtur standardet më të larta operacionale.

    ”KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth”.

    ”KFOR-i po monitoron situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe mbetet vigjilent. Është i vendosur të marrë të gjitha masat e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e mandatit të saj të OKB-së dhe për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të mëtejshëm përkatës”, thuhej nga KFOR.

    Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë po ashtu ka paralajmëruar disa herë se nuk do të hezitojë të veprojë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të lidhura me sigurinë.

    KFOR-i ka prani të përhershme në urën mbi lumin Ibër.

    Qeveria e Kosovës në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Megjithatë, vendet e QUINT-it deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafik të Urës në këtë moment.

    Ndërkohë Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!