Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit janë marrë vendime të rëndësishme që kanë të bëjë me provat materiale.
Në mesin e këtyre vendimeve, është edhe pranimi në prova materiale i raporteve ndërkombëtare- të hartuara nga organizatat e huaja. Njëri nga këto dokumente flet për një përplasje të supozuar në mes Selimit dhe ushtarëve britanikë të KFOR-it në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Këtë kërkesë për pranimin e këtyre dokumenteve në prova, Prokuroria e kishte dorëzuar më 31 mars 2025, ndërsa trupi gjykues e mori vendimin më 29 maj 2025.
Mbrojtja kishte pretenduar se ata do të paragjykoheshin nga pranimi i këtyre materialeve, pasi ZPS-ja nuk ka identifikuar ndonjë dëshmitar specifik përmes të cilëve mbrojtja do të ishte në gjendje që ta sfidojë përmbajtjen e tyre.
Madje, mbrojtja ka pretenduar se materialet e propozuara nuk tregojnë burimin e informacionit dhe janë të bazuara në thashetheme apo burime anonime.
“Paneli rikujton se fakti që një provë është dëshmi indirekte apo e pabazuar në burime të identifikueshme nuk e përjashton domosdoshmërisht pranimin e saj. Kur një dokument i tillë pranohet, këto veçori do të merren parasysh kur të vlerësohet pesha dhe vlera provuese e provës”, thuhet në vendim.
Sipas vendimit, trupi gjykues ka theksuar se këto dokumente përbëhen nga raporte të hartuara nga organizata ndërkombëtare në lidhje me ngjarje në Kosovë që janë me rëndësi për akuzat në aktakuzë.
Gjithnjë sipas vendimit, ZPS-ja mbështetet në këto materiale për të dëshmuar ekzistencën e një konflikti të armatosur gjatë periudhës së aktakuzës, dhe sulmet e përhapura kundër civilëve dhe atyre që pretendoheshin si kundërshtarë e po ashtu edhe për krimet që përmend aktakuza.
“ZPS-ja paraqet se provat e propozuara gjithashtu përforcojnë dhe plotësojnë prova të tjera dhe fakte të njohura të gjykuara, duke përfshirë: (i) kontrollin efektiv të ushtruar nga të akuzuarit dhe anëtarët e NPK-së; (ii) dijeninë dhe qëllimin e tyre; dhe (iii) ndihmën praktike, inkurajimin dhe/ose mbështetjen morale që u kanë dhënë autorëve të krimeve të akuzuara”, thuhet në vendim.
Sipas vendimit, pothuajse të gjitha dokumentet përmbajnë informacione të natyrës së ngjashme me atë që përfshihet në disa pjesë të provave të pranuara, provave të tjera të propozuara ose edhe me disa dëshmi të dëshmitarëve.
Madje, në vendim thuhet se dokumenti 24 në këtë listë provash iu ishte prezantuar edhe Bislim Zyrapit në çështjen kundër Milan Milutineviqit në ish-Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
“Trupi gjykues vëren parashtresat e mbrojtjes për provën e propozuar 24 se W04752 është njohur me këtë dokument në çështjen prokurori kundër Milutinoviqit në ICTY, gjatë dëshmisë së tij publike më 7 nëntor 2006, dhe nuk ka qenë në gjendje të vërtetojë disa incidente. Trupi gjykues është i mendimit se ka mjaftueshëm përforcime të këtij materiali nga një dëshmitar tjetër dhe sende të pranuara në këtë çështje për të justifikuar pranimin e tij”, thuhet në vendim.
Mbrojtja kishte thënë se disa prova të tjera në këtë listë dokumentesh flasin për incidente që nuk janë përfshirë në aktakuzë dhe për të cilat Prokuroria s’ka dhënë njoftim të mjaftueshëm.
“Lidhur me parashtresat e mbrojtjes se provat e propozuara 53, 57, 65, 66, 68, 73, 74, 80, 81, 86, 89, dhe 90 kanë të bëjnë me incidente që nuk janë të përfshira në aktakuzë dhe për të cilat nuk është dhënë njoftim i mjaftueshëm nga ZPS-ja”, thuhet në vendim.
Në të njëjtin vendim, thuhet se trupi gjykues është pajtuar pjesërisht me mbrojtjen sa i përket tri dokumenteve (57, 65 dhe 89), duke marrë parasysh rëndësinë relativisht të largët të këtyre incidenteve për çështjen dhe faktin që mbrojtja nuk mund ta ketë mundësinë që të marrë në pyetje dëshmitarët për to.
Si rrjedhojë, këto tri dokumente janë refuzuar që të pranohen në prova materiale ashtu siç ka kërkuar Prokuroria.
Kurse prova 90, sipas vendimit flet për një situatë që supozohet se ka qenë përplasje në mes Rexhep Selimit dhe ushtarëve britanikë të KFOR-it në Kosovë.
“Trupi gjykues pranon se kjo mund të ketë njëfarë rëndësie për çështjen nëse z. Selimi e ka pranuar mandatin e KFOR-it në Kosovë, por e konsideron se kjo ka rëndësi margjinale për pretendimet në aktakuzë. Trupi gjykues gjithashtu vëren se mbrojtja nuk do të ketë mundësi të marrë në pyetje dëshmitarë lidhur me këtë pohim, dhe se vlera provuese e këtyre faqeve është e tejkaluar nga efekti paragjykues që do të rrjedhë nga pranimi i tyre”, thuhet në vendim.
I njëjti dokument, sipas vendimit, e përmban edhe një paragraf me titullin “Forcat e armatosura në Kosovë” që ka rëndësi për çështjen nëse ka pasur një konflikt të armatosur në Kosovë në gusht të 1999-ës.
Ngjashëm edhe për disa prova të tjera (53, 66, 68, 73, 74, 80, 81 dhe 86), trupi gjykues është pajtuar me mbrojtjen që ato flasin për incidente që nuk përmenden në aktakuzë apo në përmbledhjet procedurale të ZPS-së.
Megjithatë, trupi gjykues ka thënë se provat e tilla mund të pranohen për qëllime të tjera, siç është ajo për sqarim të një konteksti ose për të demonstruar modelet e sjelljeve që përfshinë aktakuza.
Veç kësaj, trupi gjykues ka thënë se mbrojtja është njoftuar për këto incidente dhe për qëllimin e ZPS-së për t’i paraqitur ato si prova që nga viti 2021.
“E PRANON pjesërisht Kërkesën; (b) PRANON në provë provat e propozuara 1-56, 58-64, 66-88 dhe 90-132 sipas kushteve të përcaktuara në paragrafin 30, përfshirë çdo përkthim të tyre; (c) REFUZON pranimin e provave të propozuara 57, 65 dhe 89;”, thuhet në vendim.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.