×
  • Lajme
  • Lajme / FOTO

    Presidenca jep detaje nga takimi i Osmanit me partitë joshumicë: Dëgjoi këndvështrimet e secilit

    Reporteri
    15 Maj 2025 | 17:55

    Pas liderëve të subjekteve të mëdha parlamentare, presidentja Osmani ka pritur në takim edhe përfaqësuesit e subjekteve të të gjitha komuniteteve joshumicë.

    “Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim përfaqësuesit e subjekteve të të gjitha komuniteteve joshumicë, në kuadër të konsultimeve gjithëpërfshirëse me liderët e subjekteve parlamentare.”

    Në njoftim thuhet se Osmani ka dëgjuar këndvështrimet e tyre lidhur me rrugën për të siguruar funksionimin kushtetues të Kuvendit.

    “Gjatë këtij takimi, Presidentja Osmani ka dëgjuar këndvështrimet e përfaqësuesve të secilit komunitet lidhur me rrugën përpara për të siguruar funksionimin kushtetues të Kuvendit. Presidentja ritheksoi se mbrojtja e rendit kushtetues dhe funksionimi i institucioneve janë prioritete kyçe në interes të qytetarëve dhe të stabilitetit të vendit.”

    Para takimit me partitë minoritare, Presidentja takoi edhe liderët e partive kryesore parlamentare.

    Takimi ka përfunduar pa ndonjë rezultat. Presidentja Vjosa Osmani është deklaruar pas takimit me liderët e partive politike, ku paralajmëruar se do të ketë takime të tjera.

    Osmani tha se duke filluar nga java e ardhshme, mund t’i takojë edhe ndaras secilin lider nëse ka nevojë.

    Osmani përgëzoi liderët e partive, për siç tha, qasjen e tyre konstruktive.

    “Tani unë dua që t’i përgëzoj të gjithë liderët pjesëmarrës për qasjen e tyre konstruktive gjatë këtij takimi, sado që kishin qëndrime të ndryshme në shumicën dërmuese të temave, megjithatë me qasje konstruktive. Secili prej tyre treguan vullnet të mirë që të gjendet një zgjidhje përpara dhe të konstituohet Kuvendi sa më parë”, tha Osmani.

    Sipas saj, “ekziston një disponim minimal”, për çka tha se është e bindur se do të rritet me kalimin e kohës, që tha se shpreson shumë se s’do të jetë kohë e gjatë.

    Osmani tha se mund ta çojë këtë çështje në Kushtetuese, por se aktualisht do të presin. Ajo tha se këtë e ka përmendur edhe në takim dhe se s’ka pasur kundërshtim për këtë.

    “Kam shprehur gatishmërinë pas diskutimeve që të shohim rrugën përpara në qoftë se është e nevojshme, mirëpo për momentin mendoj që duhet të vazhdojnë përpjekjet për krijim me vetë vullnetin e partive, Nëse zvarritet shumë, janë disa opsione. Një opsion është vetë deputetët ta shfrytëzojnë këtë të drejtë. Mënyra tjetër është që unë si president ti drejtohem Gjykatës Kushtetuese”, shtoi ajo.

    Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ai i LDK-së Lumir Abdixhiku e Haradinaj i AAK-së thanë se takimi nuk pati ndonjë rezultat. Vetëm kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti as sot nuk u deklarua para mediave. /Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!