Presidenca e Kosovës ka thënë se Presidentja Vjosa Osmani ka qenë në kontakt me shtetet e QUINT’it dhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, lidhur me rastin e arrestimit të ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiut nga Serbia.
Këshilltari i Presidentes, Bekim Kupina, ka deklaruar për Reporteri.net se angazhimi i Presidentes do të vazhdojë. Ai ka bërë me dije se Osmani ka kontaktuar menjëherë edhe me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi.
“Presidentja Osmani, sapo është njoftuar për rastin, ka kontaktuar menjëherë me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi dhe ka qenë poashtu në kontakt me shtetet e Quint-it dhe Zyrën e BE-së. Angazhimi i Presidentes do të vazhdojë”, ka thënë Kupina për Reporteri.net.
Bashkëshortja e Spahiut, Arieta Spahiu publikisht i ka kërkuar presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe institucioneve të vendit që të reagojnë për arrestimin e tij i cili po akuzohet nga Serbia për “vrasje të rëndë” në Banjskë.
Ajo ka thënë se Arbnori më shumë se kurrë tani ka nevojë për përkrahje, e që deri më tani të gjitha institucionet kanë heshtur.
“Kërkoj publikisht që të merrni një qëndrim, të flisni dhe të ndërmerrni hapa konkretë për të adresuar rastin e bashkëshortit tim dhe të tjerëve si ai. Arbnori ka kontribuar për sigurinë e Kosovës për vite me radhë. Dhe sot, kur ai ka më shumë se kurrë nevojë për përkrahje, është lënë në heshtje. Asnjë institucion nuk ka reaguar. As Presidentja e vendit, as Kuvendi, as askush tjetër. Dhe kjo heshtje është një dhimbje tjetër për familjen time. Nuk po flas këtu vetëm si bashkëshorte. Po flas si qytetare. Sepse nesër kjo mund t’i ndodhë dikujt tjetër. Kërkoj nga Presidentja Vjosa Osmani, nga Qeveria dhe nga të gjitha institucionet që të reagojnë menjëherë. Arbnori duhet të kthehet në shtëpi. Ai nuk është fajtor – ai është një hero i heshtur i këtij vendi”, ka thënë ajo mes tjerash.
Ndaj ish-policit tashmë është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i pyetur për ish-policin e Njësisë Speciale të Kosovës tha se është Ministria e Punëve të Jashtme që po merret me rastin, shkruan Reporteri.net.
“Ministria e Punëve të Jashtme është në këtë angazhim”, tha Sveçla.
“Ky qytetar i Republikës së Kosovës të lirohet sa më shpejt dhe kësi raste të mos ndodhin më”, shtoi ai.
Ai gjithashtu konfirmoi se Spahiu s’ka qenë pjesë e Policisë në vitin 2023./Reporteri.net