×
  • Lajme
  • Lajme

    Presidenti tha se do t’i thërras javën tjetër për konsultime: Partitë tregojnë nëse do të shkojnë te Thaçi

    Reporteri
    25 Korrik 2019 | 18:11

    Presidenti Hashim Thaçi, pas dorëheqjes së Kryeministrit Ramush Haradinaj ka bërë të ditur sot përmes një njoftimi se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në pajtim me kompetencat e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.


    Presidenti ka bërë të ditur se duke filluar nga java e ardhshme do t’i fillojë konsultimet me partitë politike/koalicionet për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë që çojnë në tejkalimin e situatës së krijuar nga dorëheqja e kryeministrit.

    Por në njoftimin e Presidencës nuk ceket se do të bisedohet për datën e zgjedhjeve, siç po kërkojnë shumica e partive që ajo të caktohet sa më parë.

    Reporteri.net ka kontaktuar deputet të partive për të kuptuar nëse ato do ta konfirmojnë shkuarjen te presidenti javën e ardhshme.

    Lëvizja Vetëvendosje është e prerë se në Zyrë të Thaçit përfaqësuesit e saj shkojnë veç për të caktuar datën e zgjedhjeve dhe për asgjë tjetër.

    “Lëvizja Vetëvendosje merr pjesë vetëm në takimin ku do të caktohet data e zgjedhjeve”, ka deklaruar nënkryetarja e VV-së Fatmir Mulhaxha-Kollçaku për Reporteri.net.

    Nga PDK-ja e Kadri Veselit thonë se ata ata i respektojnë vendimet e institucioneve, andaj edhe do të marrin pjesë në takimet e thirrura nga presidenti.

    “PDK është parti institucionale. Thirrja për konsultime nga ana e presidentit është e drejtë e tij kushtetuese dhe është obligim i yni të marrim pjesë. PDK pra do të marrë pjesë në takimet e thirrura nga presidenti”, ka deklaruar deputeti Hajdar Beqa për Reporteri.net.

    Nga AAK-ja e Ramush Haradinajt ende nuk kanë vendosur.

    “Do të konsultohet subjekti dhe Kryesia e ngushtë dhe do të merret vendimi”, ka deklaruar deputetja Time Kadrijaj për Reporteri.net.

    Kurse nga partia NISMA e Fatmir Limajt thonë se ata do të shkojnë në takimet e thirrura nga presidenti.

    “Ne si parti i përgjigjemi kërkesave të institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Endrit Shala nga kjo parti për Reporteri.net.

    Kurse PSD-ja e Shpend Ahmetit nuk ka një qëndrim nëse do t’i përgjigjet thirrjeve të presidentit.

    “Jemi për zgjedhje të parakohshme. Kemi sot takim me Këshillin e Përgjithshëm dhe aty vendoset, pra do të diskutohet edhe kjo çështje”, ka deklaruar deputeti Sali Salihu për Reporteri.net.

    Gazeta Online “Reporteri.net” është munduar të marrë edhe një përgjigje nga LDK-ja e Isa Mustafës por ata nuk i janë përgjigjur thirrjeve telefonike. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!