Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka vendosur lule tek shtatorja e heroit Zahir Pajaziti ndërsa bëri homazhe me rastin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës.
Presidenti tha se a luftën e UÇK-së, sakrificën e qytetarëve të Kosovës nuk do të lëvizte as bota.
””Nderojmë sakrificën e të gjithë qytetarëve të vendit që me pushkë në dorë apo në një formë tjetër rezistencë civile, kontribuan për lirinë e pavarësinë e Kosovës”, u shpreh ai. Janë këto ditë heroike, historike të rëndësishme. Pa luftën e UÇK-së, sakrificën e qytetarëve të Kosovës nuk do të lëvizte as bota. Rezistenca jonë e drejtë, dhe sakrifica jonë e madhe që u tregua në fushëbeteja dhe kauza demokratike bëri që të kemi krah nesh edhe aletatët tanë SHBA-të dhe BE-në”, tha Thaçi, shkruan Reporteri.net.
Ai shtoi se Kosova është e bekuar që kishte në krah SHBA-të, BE-në dhe NATO-n.
”Ishte një sukses i përbashkët, i papërsëritshëm deri më tani dhe mund të them lirisht që Kosova është e bekuar që kishte në krah SHBA-të, BE-në dhe NATO-n, por mbi të gjitha ishte e bekuar sepse kishte një unitet të pathyeshëm të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe gjithë kombit shqiptar”, tha presidenti.
Ai tha se tani institucioneve i mbetet të punojmë për etapën e tretë, integrimin në NATO dhe BE.
“Na mbetet që të punojmë për etapën e tretë, pas lirisë e pavarësisë atë të integrimit të Kosovës në NATO dhe BE dhe kultivimin e raporteve speciale me SHBA-të. Kosova ka të ardhme të sigurt dhe askush nuk mund ta ndalojë apo frenojë pavarësisht pengesave që mund të paraqiten në rrugëtimin zhvillimor apo euroatlantik”, tha presidenti. /Reporteri.net/.