×
  • Lajme
  • Lajme / Samiti i Komunitetit Politik Evropian

    Presidentja e PE-së pas takimit me Osmanin: Angazhimi në dialog duhet të çojë në përparim

    Reporteri
    08 Nëntor 2024 | 9:55

    Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka njoftuar për takimin që ka zhvilluar dje me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Budapest.

    Metsola ka thënë se me Osmanin kanë diskutuar për përpjekjet e Kosovës për një të ardhme evropiane, duke theksuar se angazhimi në në dialog duhet të çojë në përparim.

    Ajo ka përmendur edhe angazhimin e Kosovës ndaj Planit të Rritjes dhe për tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.

    “Me Presidenten Vjosa Osmani, diskutova për përpjekjet e Kosovës për një të ardhme evropiane. Përshëndeta angazhimin e vendit ndaj Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe integrimit gradual në tregun e përbashkët të BE-së. Angazhimi në dialogun Prishtinë-Beograd duhet të çojë në përparim 🇪🇺🇽🇰”, ka shkruar Metsola në llogarinë e saj në platformën “X”.

    Në Budapest, Osmani gjatë së enjtes ka folur për rikthimin e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

    Osmani ka thënë se beson që mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën do të vazhdojë edhe gjatë administratës së presidentit Trump.

    Shefja e shtetit ka thënë se që nga vitet e nëntëdhjeta Kosova ka pasur mbështetjen e çdo administrate amerikane.

    “Kosova ka pasur mbështetjen bipartizane të çdo administrate amerikane që nga fillimi i viteve ’90. Ne kemi qenë të bekuar me atë mbështetje, kemi çdo arsye të besojmë se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe me Administratën Trump. Unë besoj fuqishëm se bashkëpunimi i ngushtë mes BE-së dhe Amerikës do të vazhdojë, është në të mirë të sigurisë dhe paqes në botë”, tha Osmani në Budapest ku po merr pjesë në takimin e Komunitetit Politik Evropian. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!