×
  • Lajme
  • Lajme / Konstituimi i Kuvendit

    Presidentja lëviz pas ftesës së PDK-së, i hap rrugë takimit të liderëve për zgjidhjen e krizës institucionale

    Reporteri
    08 Maj 2025 | 18:36

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar ftesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për të thirrur një takim gjithëpërfshirës mes subjekteve politike, me synim zhbllokimin e situatës rreth konstituimit të Kuvendit.

    Këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina, konfirmoi se Osmani është e gatshme të nisë kontaktet me partitë politike për të caktuar kohën e përshtatshme për mbajtjen e takimit.

    “Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur gatishmëri të plotë që nga data 16 prill për të pritur liderët e partive politike, nëse ata e konsiderojnë të nevojshme. Deri dje nuk kemi marrë ndonjë kërkesë formale. Tani që disa parti kanë shprehur interesim, Kabineti i Presidentes do të kontaktojë së shpejti me të gjitha subjektet për të caktuar një datë të përbashkët për këtë tryezë politike”, deklaroi Kupina.

    Thirrja për takim erdhi nga PDK pas mbledhjes së Kryesisë të mërkurën, ku kjo parti propozoi që Presidentja të ndërmjetësojë një tryezë të përbashkët me të gjitha subjektet parlamentare. PDK theksoi se nuk do të shmanget nga asnjë nismë që është në interes të qytetarëve.

    “Në këtë frymë, konsiderojmë se Presidentja si institucion mbi-partiak ka legjitimitetin dhe përgjegjësinë për të ndërmarrë hapat drejt një takimi gjithëpërfshirës politik. Ky takim mund të jetë hapi i duhur drejt zgjidhjes së krizës aktuale”, thuhet në deklaratën e PDK-së.

    PDK ka theksuar se që nga përfundimi i zgjedhjeve të 9 shkurtit ka zhvilluar takime me të gjitha partitë parlamentare, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje – të cilën e konsideron si përgjegjëse kryesore për krizën.

    PDK: Presidentja të thërrasë një takim me të gjitha subjektet politike parlamentare

    “Dialogu dhe bashkëpunimi janë rruga e vetme për të dalë nga krizat politike dhe për të rikthyer normalitetin institucional”, theksoi partia.

    Nisma për takim është përkrahur edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke shtuar mbështetje për një qasje të bashkërenduar në përballimin e sfidës institucionale.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!