×
  • Lajme
  • Lajme / Demantimi me data

    Presidentja Osmani ishte në Kosovë kur Gërvalla dërgoi letrën në Këshillin e Evropës

    Reporteri
    29 Maj 2024 | 21:36

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ndodhej në Kosovë në ditën kur kryediplomatja Donika Gërvalla nisi letrën për në Këshillin e Evropës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Osmani ishte kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 12 maj dhe fiks katër ditë më vonë letra e Gërvallës ishte nisur për në KiE. Presidentja Osmani më 14 maj ishte në Danimarkë, por një ditë më vonë ishte kthyer. Do të thotë se Osmani ishte në Prishtinë një ditë para se të nisej letra e Gërvallës.

    Të mërkurën presidentja Osmani e ka cilësuar “qesharake” deklaratën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca se ishte e pamundur që presidentja Osmani të njoftohej rregullisht për shkak të largësisë sepse ajo ndodhej në SHBA.

    “Në qoftë se tema paska qenë të mos prezenca fizike në Kosovë, atëherë si është e mundur që një njeri nga shoqëria civile në Gjermani që po ashtu nuk ishte prezent në Kosovë e mori atë letër para Presidencës së vendit, para Parlamentit të vendit, para shoqërisë civile në Kosovë, para popullit të Kosovës dhe e botoi atë në Twitter, pra për ta informuar një person që fare nuk është në institucione paska pasur mënyra kurse për ta koordinuar dhe vendosur bashkërisht një temë të tillë nuk paska pasur mënyra që të koordinohet me presidenten. Kjo vërtetë është qesharake”.

    Letra e përçarjes

    Se qeveria ka pasur kohë që ta njoftojë presidenten për planin rreth Këshillit të Evropës, e mbështesin njoftimet e presidencës për takimet e Osmanit më 16 maj, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    Ajo në këtë datë ishte takuar me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    “Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takime të ndara ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier, ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde, si dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves”, thuhej në njoftimin e presidencës të datës 16 maj.

    Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla më 16 maj në një postim pak para orës 9 të mëngjesit kishte njoftuar se po atë mëngjes i kishte dërguar letër presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!