Presidentja, Vjosa Osmani ka udhëtuar zyrtarisht për në Turqi, ku do ta përfaqësojë Kosovën në samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).
Përmes një njoftimi nga zyra e presidentit thuhet se në këtë samit, i cili sivjet mbahet për herë të 25-të dhe këtë vit udhëhiqet nga Turqia, Osmani do të flasë lidhur me qëndrimet e Kosovës për sa i përket bashkëpunimit rajonal, adresimit të sfidave të pandemisë, si dhe integrimit euro-atlantik.
Më pas, Osmani do të marrë pjesë në Forumin Diplomatik të Antalias, krahas shumë udhëheqësve shtetërorë nga e gjithë bota.
“Në këtë forum ajo do të jetë pjesë e panelit “Global Governance: Neë Approaches for Global Solutions” (Qeverisja globale: Qasje të reja për zgjidhje globale). Ajo poashtu do të flasë edhe në disa prej ngjarjeve të tjera të organizuara nga ky forum”, thuhet në njoftim.
Gjatë qëndrimit në Turqi, e para e shtetit do të ketë edhe disa takime me përfaqësues të vendeve të ndryshme, pjesëmarrës në këto dy forume.
Ajo do ta takojë presidentin e Turqisë, Erdogan, përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borell, ministrin e Jashtëm të Pakistanit, Makhdoom Shah Mahmood Qureshi, si dhe udhëheqës të tjerë pjesëmarrës në këtë forum.