×
  • Lajme
  • Lajme / Njoftimi

    Presidentja Osmani udhëton për vizitë zyrtare në Japoni, do të zhvillojë një sërë takimesh

    Reporteri
    10 Qershor 2025 | 13:32

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar zyrtarisht për në Japoni ku do të zhvillojë një sërë takimesh bilaterale.

    Gjatë vizitës zyrtare në Tokio, Presidentja Osmani do të pritet në takim nga Perandori i Japonisë. Presidentja po ashtu do të ketë takim bilateral me Kryeministrin e Japonisë, Shigeru Ishiba, ku do të diskutohet fuqizimi i marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Japonisë. Përgjatë vizitës zyrtare, Presidentja do të ketë takim edhe me Kryetarin e Parlamentit, Fukushiro Nukaga, njofton Presidenca.

    Përveç vizitës në Tokio, gjatë qëndrimit në Japoni, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në aktivitetet zyrtare për shënimin e Ditës së Kosovës në Ekspozitën Botërore Expo 2025 në Osaka. Në hapjen zyrtare të Ditës së Kosovës në Osaka, Presidentja Osmani do të pritet nga ministri Naoki Okada, përgjegjës për Expo Osaka 2025. Ajo do t’u drejtohet të pranishmëve me fjalimin kryesor në emër të Republikës së Kosovës, si dhe do ta vizitojë Pavijonin e Kosovës. Ceremonia e hapjes zyrtare të Ditës së Kosovës do të përcillet po ashtu me një koncert të veçantë nga Filharmonia e Kosovës.

    Në kuadër të vizitës, Presidentja Osmani do të udhëheqë gjithashtu takimin biznesor në Tokio, së bashku me një delegacion të përbërë nga përfaqësues të bizneseve nga Kosova, si dhe në prezencë të bizneseve nga Japonia. Ky takim synon promovimin e mundësive për investime japoneze në Kosovë dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik dypalësh.

    Gjithashtu, Presidentja Osmani do të takohet me z. Tanaka Akihiko, kryetar i Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), për të diskutuar mundësitë për bashkëpunim të mëtejmë zhvillimor me Japoninë. Si pjesë e agjendës së saj zyrtare në Tokio, Presidentja Osmani poashtu do ketë një diskutim me studentë të Sophia University si dhe një sërë aktivitetesh të tjera që kanë për synim afirmimin dhe thellimin e mëtejmë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, njofton Presidenca./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!