Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka akuzuar rëndë partinë e tij në pushtet, duke thënë se ekzistojnë video-incizimet ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari.
Deputeti i VV-së thotë se edhe kryeministri Albin Kurti e Ministrja Haxhiu duhet të merren në pyetje nga Prokuroria për rastin, shkruan Reporteri.net.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka thënë se Abazi do të ftohet për intervistim të hënën, teksa ka korrigjuar deklaratën e tij të dhënë më parë, duke thënë se kryeministri Kurti nuk do të ftohet për intervistim njëherë.
“Do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për secilin. Vendi për të dëshmuar është këtu dhe do ta thërrasim atë (Haki Abazin) të hënën. Kryeministrin nuk do ta ftojmë njëherë, por deputetin Abazi. Për momentin vetëm atë”, deklaroi ai për Telegrafin.
Haki Abazi në një konferencë për media tha se ekzistojnë video incizime që dëshmojnë zhdukjen e mostrave të zhdukura të Astrit Deharit.
Sipas tij dihet qartë kush është futur te frigoriferi ku ishin mostrat.
“Video incizimet janë ato që duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari. Pytjet e mia që kam shtruar dhe diskutimet që kam berë, kanë sjellur te shkarkimi dhe anatemimi brenda VV-së. Shkarkimi im është minor, kundrejt borxhit që kemi me sqaru çka ka ndodh me rastin e Astrit Deharit. Si është e mundur që në pushtetin e VV-së të zhduken mostrat, dhe Kurti të mos e thotë asnjë fjalë për këtë çështje. Nuk mund të rrim të heshtur përballë një procesi të tillë. Instituti i Mjekësisë ligjore është i monitoruar 24 orë, dihet qartë se kush ka hyrë te frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat të cilat kanë qenë të vendosura nën mostrat tjera”, tha Abazi në konferencë para gazetarëve.
Ai ka thënë se videot e audiot “janë në dispozicion”, duke shtuar se ato janë punë e Prokurorisë.