×
  • Lajme
  • Lajme / Takimi në Austri

    Pretendimet e Serbisë për gjendjen e vështirë të serbëve në Kosovë në takimet me zyrtarët e BE-së

    Reporteri
    21 Qershor 2024 | 21:12

    Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, ka takuar të premten në Austri Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pas takimit të ministrave të punëve të jashtme të grupit joformal “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”.

    Gjuriqi, siç njofton MPJ-ja serbe, ka thënë se Serbia është plotësisht e përkushtuar për dialogun me Kosovën nën patronazhin e BE-së, ndërsa ka pretenduar se siguria e serbëve në Kosovë është duke u kërcënuar.

    “Në këtë moment është e nevojshme, para së gjithash, të sigurohet siguria e popullatës serbe dhe pa vonesa të mëtejshme të zbatohen të gjitha detyrimet nga marrëveshjet e arritura deri më tani” në kuadër të dialogut në Bruksel, ka thënë Gjuriqi.

    Duke vazhduar temën e Kosovës, ai tha se situata atje “është jashtëzakonisht e vështirë”, teksa shtoi se “serbët po vuajnë presion të padurueshëm si rezultat i kulmimit të veprimeve afatgjata dhe sistematike të njëanshme të autoriteteve” në Kosovë, shkruan MPJ-ja serbe.

    Gjuriqi tha se Serbia i kushton shumë vëmendje përmirësimit të bashkëpunimit rajonal dhe përmirësimit të marrëdhënieve fqinjësore, duke theksuar se “ruajtja e paqes dhe stabilitetit në rajon është me interes kyç për Serbinë”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!