×
  • Lajme
  • Lajme / Mbrojtje

    Prodhuesi turk: Fabrika në Kosovë do të prodhojë municion sipas standardeve të NATO-s

    Reporteri
    17 Dhjetor 2024 | 10:52

    Prodhuesi turk shtetëror i industrisë së mbrojtjes “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE) me të cilin Qeveria e Kosovës gjatë ditës së djeshme nënshkroi marrëveshje për hapjen në Kosovë të fabrikës për prodhimin e municioneve, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se ajo do të jetë sipas standardeve të NATO-s, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në postimin e bërë, thuhet se fabrika në Kosovë do të jetë moderne.

    “Nënshkruam marrëveshje për themelimin e një fabrike moderne në Kosovë që do të prodhojë municion sipas standardeve të NATO-s.

    “Me këtë kontratë të nënshkruar, ne jemi krenarë që kemi kontribuar në eksportet e industrisë së mbrojtjes së Turqisë duke forcuar industrinë e mbrojtjes së vendit tonë mik dhe vëlla, Kosovën”, thuhet në postimin e bërë në Facebook.

    Edhe Kryeministri Kurti, pas nënshkrimit të marrëveshjes ditën e djeshme, përmes një postimi të bërë në Facebook, tha se me të filluar prodhimi, fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore.

    Ai ka bërë me dije se në këtë kontratë, përveç makinerisë prodhuese përfshihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, si dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe për kalibrim.

    Për lokacionin e fabrikës, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se janë duke analizuar këtë çështje, i cili sipas tij do të bëhet i ditur me kohë.

    “Është disktu mjaft kjo çështje e ish-fabrikës së municionit para viteve 90-ta në Skenderaj. Aktualisht është një projekt në rend rreth kompleksit të Jasharajve dhe fabrika është në kuadër të këtij kompleksi, pra është e destinuar për diçka tjetër atje. Prandaj edhe ne vlerësojmë që nuk duhet të pengojmë një projekt të tillë që është po aq i rëndësishëm…dhe jemi duke e analizuar çështjen e lokacionit”, ka thënë Maqedonci në Tëvë1.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!