×
  • Lajme
  • Lajme

    Profesori i dënuar për korrupsion në Serbi u propozua akademik në Kosovë

    Reporteri
    12 Nëntor 2020 | 19:20

    Profesori serb, Ivan Çukaloviq, i cili në Serbi është dënuar me dy vjet burgim për shitje të notave, njëherësh autor i punimeve shkencore që flasin për “agresionin e NATO-s” mbi ish-Jugosllavinë, ishte rekomanduar për t’u bërë anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Por, Akademia nuk e ka përfshirë në listën e ngushtë të përzgjedhjes, për shkak se ky propozim nuk është bërë në përputhje me statutin e këtij institucioni.


    I dënuar në Serbi për korrupsion, në Kosovë e synoi anëtarësimin në Akademinë e Shkencave dhe Arteve.

    Është ky profesori Ivan Çukaloviq, pjesë e aferës së njohur “Indeksi” për shitjen e notave në Kragujevc. Ai njëherësh është autor i punimeve shkencore që flasin për “agresionin e NATO-s mbi ish-Jugosllavinë”. Por, Çukaloviqit i është prerë rruga për t’u bërë pjesë e institucionit më të lartë të dijes në vend.

    Ai ka qenë në mesin e 44 kandidatëve që janë propozuar për t’u zgjedhur anëtarë korrespodentë të Akademisë. Çukaloviq nuk ka hyrë në procedurën e zgjedhjeve, për shkak se propozimi nuk është në përputhje me Statutin e Akademisë, nenin 23 paragrafin 4 dhe rregulloren me të cilën funksionon ky institucion. Sipas Statutit, këshillat e fakulteteve të universiteteve publike dhe këshillat shkencorë të instituteve shkencore publike, që financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës i paraqesin propozimet për zgjedhjen e anëtarëve korrespodentë të Akademisë.

    “Bazuar në aktet normative të lartpërmendura, të drejtë propozimi për anëtarë korrespondentë të Akademisë kanë vetëm këshillat e fakulteteve të universiteteve publike dhe këshillat shkencorë të instituteve shkencore publike, që financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Akademisë në lidhje me këtë propozim.

    “Z. Čukalović është propozuar nga një profesor i Universitetit të Prizrenit ‘Ukshin Hoti’, por për të nuk është paraqitur propozimi i Këshillit të Fakultetit. Meqë i lartpërmenduri nuk hyn fare në procedurë të zgjedhjeve, nuk shqyrtohet dokumentacioni përcjellës i pranuar në ASHAK”.

    “Propozim privat”

    Akademia e Shkencave dhe Arteve, por as Universiteti i Prizrenit, nuk kanë treguar se kush është profesori që e ka propozuar Çukaloviqin.

    “Menaxhmenti i Universitetit “Ukshin Hoti” nuk është në dijeni për propozimin e personit në fjalë dhe as se kush e ka bërë. Nga UPZ si propozim në ASHAK për anëtar korrespodent ka shkuar vetëm Prof. Asoc. Dr. Eqrem Zenelaj, i cili është propozuar nga Këshilli i Fakultetit Juridik”, kanë thënë në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”.

    Por, gazeta ka kuptuar se Çukaloviqi është propozuar nga një profesor i këtij universiteti. Fjala është Kadri Kryeziun, i cili ka punuar bashkë me Çukaloviqin në Gjykatën Kushtetuese.

    I kontaktuar nga KOHA, Kryeziu e ka pranuar se ka dërguar emrin e Çukaloviqit.

    “Nuk ka qenë propozim, vetëm rekomandim kemi bërë. Nuk ka shkuar si propozim prej Këshillit, për arsye se duhet të jetë profesor i rregullt, e ai nuk ka qenë. Unë e kam dërguar privatisht, si kolegë të punës që kemi qenë”, ka theksuar Kryeziu.

    Kur është pyetur si ka mundur ta propozojë dikë që është dënuar për korrupsion dhe mban autorësinë e punimeve kundër Kosovës, Kryeziu ka thënë se nuk i kanë interesuar ato.

    “O ti gazetar, apo më thirr për rekomandim apo tjera sene. E kam rekomandu se kam punuar gjashtë vjet me të në Gjykatën Kushtetuese. Unë kam qenë zëvendës/kryetar edhe ai zëvendës/kryetar. Për këtë arsye e kam rekomandu, edhe është i minoriteteve. Absolutisht nuk i kam shiku këto tjera, veç e kam dhënë rekomandimin se ka punuar mirë në gjykatë, është intelektual, është shtetas i Kosovës, pastaj është kontribuues i çështjes së Kosovës”, ka potencuar Kryeziu, i cili ka shtuar të mos jetë në dijeni se është refuzuar rekomandimi nga Akademia.

    “Nuk e ka marrë rekomandimin për shkak se nuk është profesor i rregullt. Këtë ia kam dhanë si koleg që e kam pasur dhe punën shkencore që ka ba. Punët tjera politike, dhe nëse janë kriminale, s’jam marrë me to”, ka potencuar ai.

    Afera “Indeksi”

    Skandali në Serbi ishte zbuluar në mars të vitit 2007, kur u publikuan incizime të cilat dëshmonin se Çukaloviq dhe 22 profesorë të tjerë në Fakultetin e Drejtësisë në Kragujevac kishin marrë para nga studentët.

    Në dhjetor të vitit 2019, gjykata pati dhënë verdiktin për profesorët e Juridikut. Nga totali prej 16 vjetësh burg, Çukaloviqi ishte dënuar me dy vjet.

    Përkundër akuzave që rëndonin mbi të, në qershor të vitit 2009, ish-presidenti Fatmir Sejdiu pati nënshkruar dekretin për zgjedhjen e Çukaloviqit anëtar të Gjykatës Kushtetuese, i cili ishte propozuar nga Kuvendi më 15 maj të atij viti. Ai ishte propozuar nga Partia e Pavarur Liberale, zyrtarë të së cilës e kishin quajtur politike akuzën për korrupsion ndaj Çukaloviqit. Çukaloviq ka qenë pjesë Kushtetueses deri në vitin 2018.

    Pas zgjedhjes në këtë institucion, Çukaloviq kishte thënë se dëshiron të jetë një nga nëntë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për t’i mbrojtur 240 mijë serbë, myslimanë dhe goranë.

    “Unë jam një profesor i dalluar. A e dini se unë kam marrë pjesë në procesin gjyqësor të RFJ-së kundër NATO-s, në kundërpadi kundër Bosnje e Hercegovinës, që kam qenë anëtar i ekipit tonë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë?! Unë me përgjegjësi pretendoj që me hyrjen time në gjykatën e Kosovës, më parë kam takuar njerëz të rëndësishëm në Serbi, përfshirë një ministër!”, citonte një deklaratë të Çukaloviqit Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe.

    Biografitë kundërthënëse

    Biografi kundërthënëse i përshkruhen Çukaloviqit në Kosovë e Serbi. Në biografinë e faqes zyrtare të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës shkruan se gjyqtari Çukaloviq ka shërbyer si bashkëpërfaqësues në të gjitha rastet në lidhje me ish-Jugosllavinë pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

    “Gjatë viteve 1999 – 2001 ai punoi si zëvendës-udhëheqës i këshilltarëve juridikë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë dhe ishte profesor në Akademinë Diplomatike të udhëhequr nga Ministria e Punëve të Jashtme e ish-Republikës Socialiste të Jugosllavisë. Në vitin 1998, gjyqtari Çukaloviq u ftua si ekspert në Tribunalin e Hagës, në rastin Dokmanoviç”. Më tej thuhet se Çukaloviqi ishte përfaqësues i Organizatës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Kulturës Bizantine në Ballkan.

    “Prej vitit 1996 deri më 1999 ai ka punuar si profesor në Universitetin e Prishtinës, ndërsa prej vitit 1992 deri më 2006 si profesor në Universitetin “BK” në Pejë dhe Beograd. Gjyqtari Çukaloviq është anëtar i Bordit Ekzekutiv të Shoqatës për të Drejtën Ndërkombëtare Penale të Serbisë dhe anëtar i Asociacionit Ndërkombëtar të së Drejtës me seli në Londër”, thuhet në këtë biografi.

    Por, përshkrim tjetër i është dhënë profesorit serb në vendin e tij. Përveç karrierës së rregullt akademike dhe interesit intensiv në doktrinën sovjetike mbi natyrën e së drejtës ndërkombëtare, sipas raportimeve të mediave në Serbi, ai ka marrë pjesë në pothuajse të gjitha përpjekjet e “çmendura juridike” të ndërmarra nga regjimi i Sllobodan Milosheviqit. Se ai ishte zyrtarisht pjesë e makinerisë politike në pushtet në vitet ‘90 dëshmohet edhe nga fakti se ai punonte si zëvendëskëshilltar kryesor ligjor i Ministrisë së Punëve të Jashtme të asaj kohe.

    Në atë cilësi, ai ishte bashkëpunëtor në mosmarrëveshjet e Beogradit zyrtar para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Ai gjithashtu ka marrë pjesë në hartimin e një kundërpadie kundër Bosnje e Hercegovinës në përgjigje të një procesi gjyqësor për agresion dhe gjenocid të kryer në atë vend fqinj.

    Ngjarje kryesore e karrierës së “avokatit pazakontë” përshkruhet pjesëmarrja e tij në shkrimet e teksteve në formën e një procesi gjyqësor kundër NATO–s për bombardimin e Serbisë. Më vonë i ka përkthyer bindjet e veta në punime të shumta shkencore përmes shkrimeve këmbëngulëse rreth mënyrës se si Kombet e Bashkuara morën pjesë në destabilizimin e Kosovës dhe rajonit, agresionin kundër RFJ-së, krimet e “terroristëve” shqiptarë, Kosovën pas ardhjes së forcave ndërkombëtare dhe aspekte të tjera “ligjore” të luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë.

    Për angazhimin e tij në mbrojtjen e vazhdueshme të interesave kombëtarë serbë, në vitin 2004 ishte zgjedhur profesor i rregullt në Fakultetin e Drejtësisë në Kragujevc, me rekomandimin e avokates së preferuar të Millosheviçit, Smilja Avramov. Temat që ia mundësuan avancimin ishin “Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe krimet e terroristëve shqiptarë në Kosovë gjatë vitit 1999”.

    Procesi i zgjedhjes së anëtarëve të ASHAK-ut përfundon më 22 dhjetor

    Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka bërë të ditur se procesi i përzgjedhjes së anëtarëve korrespodentë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës do të përfundojë më 22 dhjetor, ditën e mbajtjes së kuvendit zgjedhor. Në listën e zgjedhjes kanë hyrë 38 kandidatë, derisa gjashtë propozime janë refuzuar. Në mesin e atyre që kanë hyrë në procedurën për t’u emëruar anëtarë ka edhe eksponentë që janë ose kanë qenë në të kaluarën të afërt me partitë politike. Në ASHAK kanë thënë se nuk ka ndalesa për të tillët.

    “Ju njoftojmë se me aktet normative të ASHAK-ut nuk është e ndaluar të propozohen kandidatë që mund të kenë afërsi me partitë politike. Ligji për Akademinë (05/L-038), neni 16 paragrafi 6 e rregullon çështjen në fjalë”, thuhet në përgjigje. Sipas nenit të cituar, anëtarët e Akademisë që ushtrojnë funksione politike dhe shtetërore nuk mund të ushtrojnë funksione udhëheqëse në Akademi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!