×
  • Lajme
  • Lajme

    Profil: Kush është Mehdi Halimi, ambasador i ri i Kosovës në Francë

    Reporteri
    22 Nëntor 2021 | 16:33

    Mehdi Halimi do të jetë ambasador i ri i Kosovës në Francë, i cili do ta zëvendësoj ish-ambasadorin Qëndrim Gashi.

    Kështu është bërë e ditur sot nga Ambasada e Kosovës në Paris, me ç’rast Halimi, sot ka dorëzuar letrat kredenciale tek autoritetet franceze, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Me rastin e fillimit të detyrës, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, z.Mehdi Halimi, ka takuar drejtorin e Protokollit të shtetit francez, z.Philippe FRANC, me ç’rast i ka dorëzuar kopjen e letrave kredenciale”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Paris.

    Kush është Mehdi Halimi?

    Mehdi Halimi është profesor i asocuar në Universitetin e Prishtinës, teksa ka doktoruar në Gjuhësi në Universitetin e Parisit në vitin 2001.

    Halimi në vitet 1994 – 1998, kishte punuar si profesor i frengjishtës në shkollën e mesme “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë, teksa gjatë kohës së luftës kishte shërbyer si përkthyes dhe interpret në Paris dhe Lille.

    Ai ishte pjesë e misionit diplomatik francez në Kosovë, ku mes viteve 2007 dhe 2010 punoi si përgjegjës në sektorin e vizave attache de presse në Ambasadën e Francës në Kosovë.

    Halimi ka përkthyer tri libra në gjuhën shqipe “Letërsia në rrezik”, “Basti i intelegjencës”, “Shtigjeve të Inovacionit”, të cilat janë botuar në nëntor të 2007.

    Më 19 maj të këtij viti, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla mori vendim për shkarkimin e 12 ambasadorëve të emëruar politik, kthimi i të cilëve tha se do të bëhet më 30 gusht, e që sipas saj do të bëhet dërgimi i diplomatëve të rinj.

    Një proces i tillë ende nuk ka përfunduar.

    Procedurat për emërimin e ambasadorëve të rinj parashohin që ministrja e Jashtme të dërgojë për miratim në qeveri propozimet të cilat pastaj i përcjellën Kuvendit të Kosovës, komisioni për Punë të Jashtme e bënë intervistimin dhe përgatit raportin për secilin prej tyre, të cilin më pas e dërgon në Presidencë.

    Ndërsa emërimi i ambasadorëve bëhet me dekretin e presidentit të vendit. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!