×
  • Lajme
  • Lajme

    PROFIL: Kush ishte Astrit Ademaj, kandidati i PDK-së për Kryetar të Pejës i cili u vra sot

    Reporteri
    08 Shtator 2021 | 22:49

    Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj, është vrarë gjatë mbrëmjes së sotme.


    Astrit Ademaj mbeti i vrarë së bashku me ish kandidatin e PDK-së për kryetar të Deçanit, Blerand Kadrijaj, dhe sipas raportimeve të para dyshohet se dy viktimat për një moment kanë sulmuar njëri tjetrin me armë.

    Rastin për Gazetën Online “Reporteri.net” e ka konfirmuar Shkodran Nikqi, zëdhënës i Prokurorisë në Pejë, i cili ka thënë se si pasojë e gjuajtjeve me armë zjarri dy persona kanë humbur jetën dhe një ka mbetur i plagosur.

    Ademaj një muaj më parë ishte konfirmuar se kandidat i PDK-së për kryetar të Pejës nga Memli Krasniqi.

    “Sonte në Pejë, në qytetin e kampionëve olimpikë që i kanë bërë krenarë jo veç Kosovën, por të gjithë shqiptarët kudo nëpër botë, prezantuam kandidatin e PDK-së për kryetar komune, Astrit Ademaj. Ne kemi vendosur që në zgjedhjet e tetorit, Pejës t’i japim një vëmendje të veçantë, që e meriton, dhe me mbështetjen e qytetarëve të kësaj komune të nisim realizimin e projekteve për ta transformuar Pejën në një qytet të zhvillimit ekonomik, turistik, kulturor e sportiv” – kishte shkruar Memli Krasniqi në ditën e zyrtarizimit të kandidatures së Ademajt.

    Astrit Ademaj, ishte sekretar gjeneral i Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”, teksa ishte kandidat për doktorat në Universitetin e Sarajevës në degën e Shkencave të Sigurisë.

    Vetëm dy orë para tragjedisë ku e la pa shenja jete – Astrit Ademaj, kishte publikuar një video në faqen e tij zyrtare në Facebook.

    Në atë video Ademaj kërkonte votën e pejanëve për të qeverisur me Komunën në katër vitet e ardhshme dhe kishte prezantuar kandidaturën e Selmon Berbatit për këshilltar komunal në Pejë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!