Në ditët e ardhshme pritet që Ministria e Drejtësisë ta dërgojë te Qeveria e Kosovës, Projektligjin për Gjykatën Komerciale.
Këtë e ka konfirmuar zv/ministri i Drejtësisë, Florian Dushi, për KosovaPress.
“Në kuadër të ministrisë së Drejtësisë kemi themeluar një grup punues të cilin e udhëheqë unë si zëvendësministër i Drejtësisë i cili ka shqyrtuar Projektligjin për themelimin e Gjykatës Komerciale jemi në fazën finale të shqyrtimit të këtij projektligji brenda MD-së dhe jemi duke pranuar vërejtjet dhe sugjerime të ndryshme nga individ dhe organizata të ndryshme që kanë interes sa i përket këtij procesi. Do kemi vetëm edhe një shqyrtim bashkë sa i përket këtij projektligji me gjithë atë që kemi marr në formë të propozimeve nga organizata dhe besoj shumë shpejt brenda muajit nëntor ose thënë në mirë në pjesën e parë të muajit nëntor do i përcillet Qeverisë së Kosovës për aprovim”, tha Dushi.
Dushi beson se kjo formë e këtij projektligji për Gjykatën Komerciale do gjejë mbështetjen e duhur edhe në Kuvendin e Kosovës.
“Duke e vlerësuar si të rëndësishëm nga pjesa politike edhe nga bizneset në Kosovë, unë konsideroj se ky ligj do gjej mbështetjen e nevojshme në fazën kur do trajtohet dhe vendoset në Kuvendin e Kosovës”, tha Dushi.
E ky lajm është mirëpritur nga Odat të cilat mbështesin dhe trajtojnë problemet e bizneseve në vend.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, thotë se vonesat në kontestet e natyrës biznesore e kanë shtuar nevojë për një trup të veçantë gjyqësore që do merrej me problemet ekonomike.
Ai kërkon që në këtë Gjykatë të jenë njerëz profesionistë dhe të mjaftueshëm në numër, ndërsa thotë se kjo do ndikonte në rritjen juridike në përgjithësi për të bërë biznes në vend.
“Duke i pasur parasysh që vonesat në trajtimin e lëndëve të natyrës dhe respektivisht të kontesteve të natyrës ndërbiznesore është e nevojshme që të ekzistoj një trupe e veçantë gjyqësore e cila do i trajtoj këto konteste ose këto raste të natyrës komerciale e cila e ka numrin e mjaftueshëm të gjykatësve në njërën anë dhe në anën tjetër këta gjykatës ta kenë edhe profesionalizmin e duhur për të trajtuar edhe kontestet më të komplikuara ndërbiznesore të natyrës komerciale….Gjykata Komerciale do të ofronte siguri më të madhe juridike jo vetëm për investitorët e brendshëm, jo vetëm për ndërmarrjet që tashmë operojnë në Kosovë, por edhe për investitorët e jashtëm. Do të rritej shpejtësia e trajtimit të lëndëve, do rritej profesionalizmi I aktvendimeve gjyqësore, rrjedhimisht edhe profesionalizmi i këtyre kontesteve komerciale dhe do ndikonte në rritjen juridike në përgjithësi për të bërë biznes në vend”, u shpreh Zeka.
Sipas strukturës organizative të gjykatave të Kosovës, të përcaktuar në Ligjin për Gjykatat, Departament për Çështje Ekonomike që vepron në Gjykatën Themelore në Prishtinë është i vetmi departament që ka kompetencë të merret me çështjet ekonomike/afariste nga e gjithë Kosova.