Në fjalën hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, u tha se pavarësisht provave që ka prokuroria kundër krerëve të UCK-së, dëshmitarët në këtë rast nuk do të deklarojnë për shkak të frikës apo besnikërisë që kanë ndaj të akuzuarve.
“Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë vetëm me krimet që kanë bërë këtë katër të akuzuarit, një vështirësi për këtë proces do të jetë vetëm frika që do të kenë dëshmitarët gjatë procesit gjyqësor”, ka thënë prokurori Alex Whiting.
Sipas tij, dëshmitarëve do të ju duhet guxim të dëshmojnë dhe padyshim që do të kemi dëshmitarë të thyer të cilët nuk do të tregojnë trupit gjykues ato që dinë për shkak të frikës apo për shkak të besnikërisë që kanë ndaj të akuzuarve.
Ai tha se frikësimi apo besnikëria nuk mund të pengojnë arritjen e një rezultati të drejt në këtë çështje gjyqësor.
Ndërsa, prokurori i specializuar Matthew Halling, gjatë fjalës hyrëse përpos që dha një historik se si u krijua UÇK-ja, ai përmendi disa prej deklaratave të bëra nga të pandehurit më herët në media, lidhur me Shtabin e Përgjithshëm dhe vetë UÇK-në, duke prezantuar edhe intervista të dhëna për gazeta të ndryshme.
Thaçi, Veseli dhe Selimi, sipas prokurorisë, themeluan Shtabin e Përgjithshëm dhe e nisën këtë ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe Krasniqi ishte anëtar i drejtorisë politike.
Prokurori Matthew Halling tha se gjatë intervistimit në Hagë nga prokurorët e specializuar, Rexhep Selimi, ka konfirmuar postet që katër të akuzuarit kanë pasur gjatë luftës në Kosovë.
Më pas ai lëshoi një pjesë të intervistë në Hagë, ku Selimi flet se kush i shkruante komunikatat e UÇK-së dhe kush ishte përgjegjës për mesazhin që duhej nxjerrë në publik.
Sipas Halling, Thaçi në fundin e vitit 1998, kishte marrë drejtimin e drejtorisë politike të UÇK-së, Veseli kishte qenë përgjegjës drejtorinë e zbulimit, Selimi ishte inspektor i përgjithshëm i UÇK-së dhe Krasniqi ishte zëdhënës, pra “i ngarkuar për t’iu dhënë zë” politikave të këtij organizimi.
Gjatë fjalës hyre të prokurorisë, janë përshkruar disa komunikata të UÇK-së, të cilat tregojnë se si Rexhep Selimi, Kadri Veseli e Hashim Thaçi kishin sulmuar 12 stacione të Policisë serbe njëherazi.
“Përmes Adem Jasharit, UÇK filloi të sulmojë forcat serbe. UÇK e ka zanafillën gjatë viteve 90-ta. Xhavit Haliti duke kujtuar një bisedë në 1993 me Azem Sylën thotë se ne u pajtuam që gjithçka të funksionojë sipas një hierarkie. Që nga fillimi hierarkia ishte e rëndësishme. Hierarkia ndalonte të infiltruarit”, tha prokurori.
Sipas dispozitivit numër 3, Kadri Veseli përgjigjet se nuk kishin detyra të veçanta, mirëpo bënin të mundnin, por sipas prokurorisë, Thaçi, Veseli dhe Selimi ishin ndër themeluesit e Shtabit të Përgjithshëm.
“Provat treguan se në 1997. Në vitin 1997 UÇK sulmoi 12 stacione të policisë me granatahedhës. Provat tregojnë se sulmi u organizua nga Rexhep Selimi teksa u ndihmuan nga Thaçi dhe Veseli për të siguruar armët”, tha tutje Prokurori.
Seanca është duke vazhduar.
Gjate kësaj seance katër krerët e UCK-së, janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës.
Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, nga sot (3 prill), do t’i dëgjojnë akuzat për krime lufte që rëndojnë mbi ta, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit iu konfirmua aktakuza nga Gjykata Speciale më 4 nëntor të vitit 2020, ndërkaq Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, kjo aktakuzë iu konfirmua një ditë më vonë, pra më 5 nëntor.
Sipas akuzës, së paku mes marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.
“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akuza.
Ish-presidenti, Hashim Thaçi, asaj kohe doli në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku tregoi se iu është konfirmuar aktakuza dhe në të njëjtën kohë dha dorëheqje nga pozita e presidentit. Thaçi dha dorëheqje më 5 nëntor 2020 dhe u arrestua po atë ditë.
Edhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, e kishte bërë të njëjtën gjë përmes një konferencë për media. Më 10 nëntor të vitit 2020, në paraqitjen e parë para Gjykatës Speciale, Veseli u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Ai u paraqit para Dhomave të Specializuara më 9 nëntor, dhe për dallim nga Thaçi dhe Veseli, përveç se u deklarua i pafajshëm për aktakuzën, ai mbajti edhe një fjalim.
Ish-kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, para Dhomave të Specializuara u paraqit më 9 nëntor, ku u deklarua i pafajshëm, por edhe mbajti edhe një fjalim.
E deputeti Rexhep Selimi, më 4 nëntor 2020 njoftoi se kishte marrë konfirmin për aktakuzë dhe se ishte nisur drejt Hagës.