×
  • Lajme
  • Lajme / Video

    Prokurori që dikur ishte gazetar, merr vendim kundër ish-koleges, e në favor të truprojës së kryeministrit që ushtroi dhunë ndaj saj

    Reporteri
    01 Gusht 2024 | 14:00

    Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka hedhur poshtë pretendimin e gazetares Blerta Dalloshi për vepër penale ndaj truprojës së kryeministrit Albin Kurti, i cili e kishte sulmuar atë fizikisht në një moment kur ajo po tentonte t’i bënte pyetje shefit të qeverisë së Kosovës. Këtë vendim e ka marrë prokurori Kastriot Berisha. E për më tepër i njëjti, para se të fillonte punën si prokuror, kishte punuar si gazetar në Kallxo.com.

    Prokurori Berisha vendimin e tij e ka mbështetur në disa arsyetime, që për juristen e mediave Flutura Kusuari që shumica e tyre janë të papranueshme dhe me anim nga i dyshuari e jo nga viktima.

    Kusari ndër të tjera në reagimin e saj thotë se vendimi i prokurorit Berisha, është në kundërshtim edhe me standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Këshillit të Europës.

    Prokurori Kastriot Berisha, në kohën kur ushtronte profesionin e gazetarit

    Më poshtë lexoni të plotë reagimin e juristes së mediave Flutura Kusari:

    E zhgënjyer me Prokurorinë Themelore në Prishtinë e cila duhet të jetë në krah të gazetarëve të rrezikuar e jo në krah të kryeministrit
    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konsideruar që sulmi fizik që iu ka bërë gazetares Blerta Dalloshi nga ana e Bardhyl Rrustemi, truprojë i kryeministrit Albin Kurti, nuk përbën vepër penale, ndonëse ka video që dëshmojnë që ai e ka sulmuar jo vetëm Blerten por edhe të paktën dy gazetarë të tjerë.

    Fjala është për këtë sulm – https://www.facebook.com/blerta.dalloshi/videos/635157991961492/

    Akvendimi për hudhjen e kallëzimit penal është në kundërshtim me standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Këshillit të Europës dhe është qartazi anues kah i dyshuari dhe jo nga mbrojtja e viktimes dhe drejtësia.

    Prokurori Kastriot Berisha e arsyeton kështu vendimin e tij për hudhjen poshtë të kallëzimit penal, arsyetime këto të pabazuara në ligj dhe që dëshmojnë mungesë të njohurive të rolit të gazetarëve në shoqni. Në kllapa janë komentet e mija.

    1. Gazetarja nuk ka pasur intervistë të aranazhuar (sipas prokurorit, intervistat mund të zhvillohen vetëm kur ato aranzhohen. Urime gazetare per kete standard te ri ne gazetari, te vendosur nga prokuroria themelore e Prishtines)

    2. Gazetarja i ka dalë në rrugë kryeministrit por ai nuk ka dashur të deklarohet (reminder për prokurorin- viktima e sulmit është gazetarja, jo kryministri)

    3. I dyshuari e ka për detyrë të ruajë sigurinë dhe imazhin e kryeministrit (gazetarët nuk i rrezikojnë kryeministrat dhe imazhi i kryeministrit nuk ruhet duke i sulmu fizikisht gazetarët)

    4. Nuk ka provë që vërteton qëllimin e të dyshuarit që të lendojë të dëmtuarën dhe të keqpërdorë autorizimet (ky është keqinterpretim i rrezikshëm nga ana e prokurorit të veprave penale lëndim i lehtë trupor dhe keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizime publike)

    5. Sulmuesi ka deklaruar që e ka ngre për dore gazetarën për t’ia ruajtur imazhin kryeministrit dhe se ka pranuar që edhe në të kaluarën ka bërë një gjë të tillë duke larguar mikrofona (recidivist që e pranon vetë fajin dhe prokurori sheh seri).

    Prokurori nuk e përmend faktin që sulmi ka edhe bazë gjinore (shih vepren penale të lëndimit të lehtë), nuk merr parasysh fare situatën e lirisë së medias në rënie rapide në Kosovë, rrezikun që po ju kanoset gazetarëve çdo ditë, efekti frenues që ai sulm ka tek gazetarët tjerët dhe rreziku i krijimit të precedentëve ku politikanët mund të përdorin truprojet e tyre për t’i sulmu fizikisht gazetarët. Përgjithësisht aktvendimi është shkruar në një frymë anti-media.

    Pata fillu me pasë shpresu në prokurori për shkak se aktakuzat në rastet e Valon Syla, Alban Selimi dhe hetimet në Albkings kanë qenë storje suksesi në mbrojtje të gazetarëve. Por si duket storje suksesi janë vetëm rastet kur nuk i prekin politikanët në pushtet.

    Blerta do të ankohet në apel dhe shpresoj që prokurori/prokurorja e rastit do ta shqyrtojë këtë rast ashtu siç e meriton – si ndërhyrje flagrante në lirinë e medias që ka rezultu me lëndim trupor të një gazetare grua. Ky rast është ndër rastet me high profile të sigurisë fizike të gazetarëve të këtij viti.

    Video ku shihet teksa truproja e kryeministrit Kurti sulmon fizikisht gazetaren:

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!