×
  • Lajme
  • Lajme / Reagim ndaj ministres

    Prokuroria demanton Haxhiun për rastin e pronës milionëshe në Veternik: S’është hetuar kurrë nga ne, deklarata të pavërteta

    Reporteri
    30 Tetor 2024 | 15:58

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë ditës së sotme ka thënë se është e shqetësuar pasi Prokuroria Speciale ka “mbyllur” hetimet për rastin e pronës milionëshe në Veternik, e cila pronë dyshohet se u fitua përmes mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve nga Beogradi.

    Kjo deklaratë e ministres, u demantua nga Prokuroria Speciale e Kosovës, të cilët përmes një reagimi, thanë se rasti për të cilin është deklaruar Haxhiu, s’është hetuar dhe s’ka qenë kurrë punë në Prokurorinë Speciale, raporton gazeta online Reporteri.net.

    “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës shpreh indinjatë të thellë ndaj qasjes së vazhdueshme joproduktive të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndaj Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Prokuroria Speciale, demanton fuqishëm deklarimin e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të bërë sot, duke u shprehur se “është e shqetësuar pasi Prokuroria Speciale ka mbyllur hetimet për rastin e pronës milionëshe në Veternik”. Prokuroria Speciale informon opinionin publik se rasti për të cilin është deklaruar ministrja në fjalë, nuk është hetuar dhe nuk ka qenë në punë asnjëherë në Prokurorinë Speciale, prandaj deklarimi i tillë i ministres Haxhiu, është i pavërtetë dhe tendencioz”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.

    Derisa i kanë quajtur deklarime të pavërteta nga Haxhiu, Prokuroria i konsideron të qëllimshme dhe tendencioze, me qëllim të dezinformimit në opinionin publik.

    “Nisur nga fakti se nuk është hera e pare që ballafaqohemi me sulme të tilla dhe deklarata të pavërteta nga ministrja Haxhiu, Prokuroria Speciale, i bën thirrje ministres së drejtësisë dhe të gjithë personave tjerë që kanë synim pengimin e kësaj prokurorie në realizimin e mandatit të saj, që të përmbahen nga deklarime të tilla të pavërteta, tendencioze dhe qëllimkëqija”, thuhet më tej në reagimin e tyre.

    Në përfundim të reagimit, Prokuroria Speciale ka potencuar se “veprime të tilla”, në asnjë rrethanë s’do të ndikojnë që kjo prokurori të ushtroj mandatin e saj në drejtim të lufimit të kriminalitetit.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!