×
  • Lajme
  • Lajme

    Prokuroria i reagon ministrit Sveçla: Deklaratat janë tendencioze dhe shfaqin mosnjohuri elementare profesionale

    Reporteri
    26 Gusht 2021 | 14:48

    Prokuroria Prokuroria Themelore në Ferizaj ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili tha se “Prokuroria dhe gjykatat u treguan të papërgjegjshme, policia e arrestoi 135 herë”, teksa fliste për të dyshuarin kryesor në vrasjen e 18 vjeçares, M.O., Dardan Krivaqën.


    Sipas prokurorisë, këto deklarata janë të paqëndrueshme dhe se shfaqin mos-njohuri elementare profesionale.

    “Janë krejtësisht tendencioze dhe kanë për qëllim dezinformimin dhe manipulimin e opinionit për përfitime politike.Për dijeninë e Ministrit të Punëve të Brendshme, Prokuroria është organ kushtetues ndjekës dhe kompetencat e ndara duhet t’i dallojë dhe aq më shumë edhe t’i kuptojë”, u tha në reagimin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

    Gjithashtu u tha se ia bëjnë me dije ministrit Sveçla se Prokuroria Themelore në Ferizaj çdo herë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj të pandehurit Dardan Krivaqa dhe se në të gjitha rastet ndaj tij ka ngritur aktakuza dhe të njëjtat i ka proceduar në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

    “Andaj, ju bëjmë thirrje bartësve të institucioneve ekzekutive që të përmbahen nga çfarëdolloj deklarimi i pamatur, i pakonfirmuar dhe tendencioz, sepse kjo qasje nuk iu shërben as atyre dhe as të vërtetës faktike”, shtoi tutje prokuroria.

    Ndryshe ministri Sveçla deklaroi sot se policia ka bërë arrestimin e atij krimineli të rrezikshëm teksa u shpreh se hallkat tjera që janë treguar të papërgjegjshme janë Gjykata e Prokuroria.

    “Policia e Kosovës në raport me këtë kriminel është sjellur ashtu siç është kërkuar, sipas indicieve të para, janë dy hallka tjera që kanë qenë të papërgjegjshme, që janë prokuroria e Gjykata”, u shpreh Sveçla.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!