30 ditë paraburgim nga Gjykata, ka kërkuar Prokuroria Themelore e Prizrenit, për Fehmi Musën, të dënuarin për terrorizëm që u arrestua të martën në Vermicë duke transportuar një grup refugjatësh palestinez.
Fehmi Musa është emër shumë i njohur për autoritet e sigurisë në vend. I dënuari për terrorizëm, në rastin ‘Badovci’ është arrestuar sërish mbrëmë nga Policia e Kosovës.
Këtë herë ai, me veturën e tij taksi të tipit ‘Tauran’, po transportonte një grup prej katër personash refugjatë palestinez.
Arrestimi i tij u bë në Verimicë, të Prizrenit. E, Prokuroria Themelore, të mërkurën, ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit t’i caktojë 30 ditë paraburgim të dyshuarit për “Kantrabandim me migrant”.
Kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit e ka konfirmuar për Gazetën Online “Reporteri.net” zëdhënësja Fitore Mehmeti.
“Lidhur me rastin të cilit ju i referoheni, Prokuroria Themelore në Prizren ju njofton se ka ndaluar një person në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi me migrantë” nga neni 164 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Për të njëjtin pranë Gjykatës Themelore në Prizren, është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit”, ka thënë ajo.
Nga ana tjetër, Policia e Kosovës, po sot, kanë njoftuar për Reporteri.net se katër refugjatet nga Palestina, janë dërguar gjithashtu në mbajtje, në Stacionin Policor për Mbikëqyrje të Kufirit në Vërmicë, në afërsi të vendit ku janë kapur.
I arrestuari, Fehmi Musa, me profesion taksist nga Fushë Kosova, në maj të vitit 2019 ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, me tre vite burim në rastin e njohur të terrorizmit si “Badovci”.
Arrestohet i dënuari për terrorizëm në Kosovë, në veturë po i fshihte 4 palestinezë
Për rastin e njëjtë, bashkë me Musen akuzoheshin dhe janë dënuar edhe një grup personash tjerë.
Supremja, me një vendim kishte veçuar nga lënda vetëm Musën, të cilin e kishte kthyer në rigjykim, derisa grupit tjetër ua kishte bërë të plotfuqishëm vendimin e shkallës së parë.
Derisa, edhe në rigjykim Fehmi Musa u shpall fajtorë për veprën penale të ndihmës në shtytje në kryerjen e veprave terroriste.
Aktakuza ndaj Musës dhe të bashkakuzuarve të tij, Besnik Latifit, Gazmend Halitit, Milazim Haxhiajt, Enis Latifit ishte ngritur me 4 dhjetor 2015, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Në këtë rast, i akuzuar ka qenë i akuzuar edhe Betim Ibrahimaj, por që është larguar nga ndjekja, pasi i njëjti është raportuar të jetë në luftën në Siri. Ndërkohë që udhëtimi i tij në ISIS kishte ndodhur gjatë kohës sa Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte caktuar atij arrestin shtëpiak.
Sipas aktakuzës, grupi i të akuzuarve në rastin ‘Badovci’, më 10 korrik 2015, kishin shkuar tek liqeni i Badovcit, që me ikonografin e terrorit të organizatës terroriste ISIS, ta incizojnë një video propaganduese, në të cilën kishin pasur për qëllim që ta lexojnë betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “ISIS” dhe ta publikojnë këtë video në internet, për ta dëshmuar para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shteti Islamik” në Republikën e Kosovës.
Musa po akuzohej se më 11 korrik 2015, rreth orës 02:00 të mëngjesit, kishte shkuar tek liqeni i Badovcit dhe me veturën e tij e kishte bartur të pandehurin Gazmend Haliti deri në fshatin Hajvali dhe të pandehurin Betim Ibrahimaj deri në Istog, edhe pse e kishte ditur qëllimin e qëndrimit të tyre tek liqeni i Badovcit, si dhe duke e ditur se me atë rast ata ishin arratisur nga policia.
Por, Fehmi Musa, siç mëson Reporteri.net, njihet edhe për një mori dyshimesh tjera të vepra penale të kryera nga ai. I arrestuar disa herë, po ashtu i dënuar në disa raste, Fehmi Musa dyshohet se u përfshi në të paktën 10 raste penale, përfshirë edhe në ato të terrorizmit. /Reporteri.net/.