×
  • Lajme
  • Lajme / Detajet e fundit

    Prokuroria kërkon paraburgosjen e serbit që dyshohet se kishte krijuar rrjet spiunazhi në Kosovë

    Reporteri
    27 Qershor 2024 | 12:55

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar një muaj paraburgim ndaj serbit Aleksandër Vlajiq që u arrestua dje nën dyshimin e veprës penale “Spiunazhi”.

    Vlajiq u arrestua të mërkurën mbrëma në Mitrovicë pas hetimeve disamujore nëpërmjet Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policisë së Kosovës.

    Njoftimin për kërkesën për paraburgim nga tij e ka bërë të ditur vetë Prokuroria e Shtetit, përmes një kumtese.

    “Kërkesën për caktimin e paraburgimit prokurori e ka paraqitur, pasi që ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale: ‘Spiunazhi’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ “, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

    Portali i TV Dukagjini ka raportuar të enjten se AKI zbuloi se i arrestuari kishte krijuar një rrjet spiunazhi në Kosovë, dhe të rekrutuarit e tij kanë qenë kryesisht qytetarë serb të cilët kanë punuar në organizata ndërkombëtare në Kosovë, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    Aleksandër Vlajiq ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me shefin e qendrës së BIA-s në Novi Pazar, Ratko Gajtanovic, të cilin e ka informuar në vazhdimësi për zhvillime të sigurisë në veriun e Kosovës, thotë raportimi. Po ashtu, mësohet se Vlajiç ka zbuluar emrin e një zyrtari të AKI-së dhe e ka dërguar tek BIA, derisa një gjë të tillë e ka mësuar gjatë takimeve derisa ka qenë zyrtar i Policisë së Kosovës.

    Gazeta Online Reporteri.net, mbrëmë pas arrestimit, raportoi se Vlajiç kishte qenë edhe më parë i arrestuar nga Policia e Kosovës si i dyshuar për pjesëmarrjen në grupin terrorist që sulmuan zyrat e KQZ-së në veri, dhjetorin e vitit 2022. Madje, për rastin në fjalë, një vit më vonë, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Vlajiq dhe tre të akuzuarve tjerë ish-policit Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq i njohur si “Llune” dhe Miomir Vakiq. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!