×
  • Lajme
  • Lajme

    Prokuroria në Mitrovicë thotë se i kanë marrë me prioritet sulmet ndaj gazetarit Shkumbin Kajtazi

    Reporteri
    23 Tetor 2020 | 18:11

    Prokuroria Themelore e Mitrovicës bën të ditur se është duke trajtuar me prioritet dy rastet e sulmit ndaj gazetarit Shkumbin Kajtazi.


    Herën e parë më 13 qershor 2020, është tentuar t’i digjet vetura personale, andaj lidhur me këtë është iniciuar rast për veprën penale “Zjarrëvënie në tentativë”.

    Ndërkaq, herën e dytë më 18 tetor 2020, të njëjtit gazetar i është sulmuar vetura me plumba, ku prokuroria ka iniciuar rast për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm“.

    Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se prokurorët e ngarkuar me këto dy raste janë duke i trajtuar me prioritet, si dhe kanë marrë pamjet nga vendet ku kanë ndodhur ngjarjet, kanë intervistuar dëshmitarë, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të zbardhur këto dy raste.

    Vetura e gazetarit të Gazetës Online “Reporteri.net”, Shkumbin Kajtazi, u bë cak i një sulmi me armë zjarri.

    Gjuajtja me armë zjarri drejt veturës së Kajtazit ndodhi më 17 tetor rreth mesnatës në një rrugë në qendër të qytetit të Mitrovicës, shkruan Reporteri.net.

    Vetura është gjuajtur me shumë plumba, por shenja të dukshme janë 5 apo 6.

    Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia e Kosovës, ku u gjetën disa predha të plumbit, të cilat kishin hyrë brenda veturës.

    Një plumb është gjetur tek ulësja e shoferit, ndërkaq dy të tjerë në pjesën mbrapa. Po ashtu dy plumba të tjerë kanë goditur pjesë të jashtme të veturës.

    Siç shihet nga fotografitë, vetura ka disa vrima nga plumbi: xhami është thyer, tavani dhe pjesa mbrapa janë shpuar.

    Gazetari Kajtazi ka thënë se në momentin kur ndodhi ky sulm, ndodhej në një kafene të Mitrovicës.

    Kajtazi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se zbardhja e rastit duhet të bëhet shpejt, ose rrezikon të mbetet zhag si i mëparshmi.

    “Nuk ndihem i frikësuar, që është qëllim i personave që më vihen pas. Jam thjesht i dëshpëruar me shtetin tim dhe njerëzit e tij.”, ka shkruar ai në Facebook.

    Ky është sulmi i dytë ndaj tij, pasi që muaj më parë dikush tentoi që t’ia digjte veturën e njëjtë.

    Postimi i plotë i Kajtazit:

    Miq,

    Mbrëmë u përballa me një sulm të rrezikshëm: vetura ime u qëllua me 5 ose 6 plumba.

    Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, kur vetura ishte e parkuar në qendër të Mitrovicës.

    Unë isha afër dhe kam dëgjuar krisma arme, por si njeri naiv që beson se Kosova është vend normal, nuk e kam lejuar mendjen të më thotë se mund të jetë sulm i tillë. Isha gabim.

    Kur u afrova tek vendi ku e kisha parkuar, pashë se vetura ishte dëmtuar në masë të madhe. Në fillim pata bindjen se ishte goditur me diçka të fortë, mirëpo më pas u vërejten gjithandej vrima dhe predha të plumbave: në ulësen e shoferit, në tavan e në pjesën e prapme.

    Edhe në Polici deklarova se rasti lidhet me punën, pasi problem personal me dikë nuk kam pasur që nga shkolla e mesme.

    Rasti është në Polici dhe shpejt do ta marrin në dorë hetuesit e krimeve të rënda. Zbardhja e tij duhet të bëhet shpejt, ose rrezikon të mbetet zhag si i mëparshmi.

    Nuk ndihem i frikësuar, që është qëllim i personave që më vihen pas. Jam thjesht i dëshpëruar me shtetin tim dhe njerëzit e tij. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!