Prokuroria Speciale e Kosovës ka pushuar hetimet ndaj 16 personave që dyshoheshin për “krim të organizuar” dhe “organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” në Kosovë. Ndaj 11 të tjerëve u ngrit aktakuzë.
Grupi ishin arrestuar në fillim të prillit 2023, në një aksion të Policisë së Kosovës në lokacione të ndryshme, në Prishtinë dhe Pejë. Derisa hetimi kishte nisur një vit më herët, më 2022.
Në vendim e Prokurorisë për mbylljen e hetimit, prokurori i shtetit thotë se pas vlerësimit të provave materiale, mbrojtjes së të dyshuarve dhe raportit të zbatimit të masave të fshehta ka rezultuar se nuk ka prova për ngritjen e aktakuzës ndaj16 të dyshuarve.
Avokatja e njërit prej të dyshuarve në rastin në fjalë, Aurora Mulhaxha ka konfirmuar për gazetën online Reporteri.net mbylljen e hetimit ndaj klientit të saj dhe të tjerëve.
Sipas saj, Prokuroria nga fillimi nuk ka pasur prova dhe paralajmëron se klienti i saj do të ushtrojë padi civile për kompensimin e dëmit.
Hetimi për këtë rast, ndaj 16 të dyshuarve, u mbyll më 9 gusht 2024. Derisa ndaj 11 të tjerëve që u hetuan në të njëjtën lëndë u ngrit aktakuzë për veprat penale “pjesmarrje në grup kriminal”, “organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe “armëmbajtje paleje”.
Në vendimin për pushimin e hetimeve tregohet se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me datën 05.09.2022, kishte pranuar nga Policia e Kosovës, sipas të cilës kërkesë në bazë të informatave të siguruara nga një burim i informacionit personi A.N, është duke drejtuar një grup kriminal të organizuar të cilët merren me organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
“Sipas këtij burimi, A. organizon lojëra të fatit dhe në 4 (katër) qytete të Kosovës, ka lokale ku zhvillohen këto lojëra, si në Prishtinë, Pejë, Rahovec dhe Gjilan, ndërsa pikën kryesore të grumbullimit të parave të fituara në mënyrë të kundërligjshme të organizimit të këtyre lojërave e ka në Fushë Kosovë. Lojërat e bixhozit, i akuzuari A.N, kryesisht i ka organizuar online”, thuhet në dokument.
PSRK, shqyrtimit dhe vlerësimit të të gjitha raporteve të përgjimit, të vëzhgimit, dëshmive e dëshmitareve por edhe mbrojtën e të pandehurve si dhe veprimet e tjera hetimore, ka vlerësuar se nuk ka arritur të ngritët dyshimi në nivelin e bazuar mirë se të pandehurit G.S, V.M, Ç.N, L.B, A.M, E.A, F.N, A.M, F.D, Sh.I A.H, T.B, L.Z, M.N, F. J, B.D kanë kryer veprat penale për të cilat ka filluar hetimit apo është zgjeruar hetimit.
“Andaj, meqenëse pas vlerësimit të provave materiale, mbrojtjes së të pandehurve, raporteve të zbatimit të masave të fshehta, me asnjë provë nuk ka rezultuar se në veprimet e të pandehurve G.S, V.M, Ç.N, L.B, A.M, E.A, F.N, A.M, F.D, Sh.I A.H, T.B, L.Z, M.N, F. J, B.D, të jenë manifestuar elementet esenciale të veprave penale të lartcekura, e që konsistojnë tek qëllimi i përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, ku pa ekzistimin e këtyre elementeve esenciale të kësaj vepre penale nuk ka as vepër penale, pra në këtë rast mungon elementet esenciale të veprës penale, andaj konsiderojmë se nuk është vërtetuar as ndonjë element tjetër, përfitim pasuror për vete apo për tjetrin”, thuhet neë vendim.