×
  • Lajme
  • Lajme / Mesazhi

    Prokuroria Speciale cakton prokurorin për rastin e kërcënimit ndaj Presidentes Vjosa Osmani

    Reporteri
    23 Maj 2025 | 23:13

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se tashmë është caktuar prokurori që do të hetojë rastin e kërcënimit me jetë ndaj Presidentes së vendit, Vjosa Osmani. Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësja e Prokurorisë, Arbnora Luta.

    Sipas Lutës, pas pranimit të informatave nga Policia e Kosovës dhe raportit fillestar, të enjten më 22 maj është caktuar prokurori përgjegjës për këtë rast. “Prokurori kujdestar ka autorizuar njësitë përkatëse të Policisë për të ndërmarrë menjëherë veprime në drejtim të identifikimit të autorëve të dyshuar të kësaj vepre penale,” tha ajo.

    “Ndërsa, të enjten pas pranimit të raportit policor në lidhje me veprimet fillestare, menjëherë është caktuar prokurori përgjegjës nga Prokuroria Speciale dhe rastin do ta trajtoj me prioritet të lartë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të siguruar zbardhjen e plotë të çështjes dhe ndëshkimin e përgjegjësve të këtyre akteve”, ka treguar ajo për Kallxo.

    Sipas Lutës, Prokuroria Speciale e së Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin e kanosjes se Presidentes së Republikës së Kosovës.

    “Po ashtu, Prokuroria Speciale, siguron opinionin publik se është në koordinim të plotë me organet e sigurisë, për të garantuar mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të përfaqësuesve të lartë të shtetit”, shtoi Luta.

    Gjatë ditës nga Presidenca e Kosovës janë ankuar se nga Prokuroria Speciale ende nuk ka caktuar asnjë prokuror që të merret me kërcënimin ndaj Presidentes.

    Këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, ka deklaruar për Gazetën Online Reporteri.net se sot janë informuar nga Policia se nuk është ngarkuar ende asnjë prokuror për t’u marrë me këto kërcënime.

    “Rreth një javë pas raportimit të kërcënimit të fundit me jetë të Presidentes Osmani i ardhur në adresën elektronike zyrtare të Presidencës dhe hapjes së rastit nga Policia, sot jemi njoftuar nga Policia se Prokuroria Speciale nuk e ka ngarkuar ende asnjë prokuror të merret me kërcënimet ndaj Presidentes Osmani”, ka thënë Kupina.

     

    Kërcënimi ndaj Osmanit, Presidenca: Specialja nuk e ka caktuar ende asnjë prokuror për rastin, shqetësuese

    Ai ka theksuar se kërcënime ndaj Presidentes ka në vazhdimësi, por se ende nuk ka asnjë të arrestuar, pavarësisht se thotë shumë prej kërcënimeve janë bërë me emër e mbiemër.

    “Është shqetësuese të mos ketë një reagim efikas dhe të shpejtë nga organet përgjegjëse, ngase kemi të bëjmë me kërcënime ndaj kreut të shtetit të cilat janë edhe kërcënime ndaj rendit kushtetues, duke e ditur që për momentin Presidenca është institucioni i vetëm me kompetenca të plota”, ka thënë Kupina për Reporteri.net.

    Mesazhi kërcënues është dërguar më 15 maj, ditën kur Osmani nisi konsultimet me liderët e partive për të gjetur rrugëdalje nga ngërçi institicional.

    “Policia e Kosovës ditë më parë ka pranuar informacionin që ju i referoheni, sipas procedurave është njoftuar Prokurori i shtetit dhe është iniciuar rast penal”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

    Policia e Kosovës ka konfirmuar të martën se ka iniciuar rast penal lidhur me kërcënimin me jetë që është bërë ndaj Presidentes Osmani.

    “Me tra nprit dekt me tlan partis dyt mundsin duhet deri tash kriminele antikushtetuese ordinere ti ha ropt tvraj”, thuhet në mesazhin e dërguar në e-mailin zyrtar të Presidencës.

    Reporteri.net ka dërguar pyetje lidhur me këtë rast, por deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka kthyer përgjigje./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!