Sulmi ndaj Valon Sylës të martën, që e la gazetarin me lëndime në kokë, ka kaluar në instanca më të larta ligjvënëse.
Kjo pasi, me këtë rast, tash po merret Prokuroria Speciale e Kosovës, përkatësisht Drejtoria kundër Terrorizmit, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Në një komunikatë të Policisë së Kosovës, është bërë e ditur se arrestimi i tre të dyshuarve për sulmin ndaj Valon Sylës është bërë me urdhër të Prokurorisë.
“Prokuroria Speciale njofton se pas një angazhimi intensiv të hetuesve të Policisë së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë Kundër Terrorizmit, është arritur që të identifikohen tre (3) të dyshuarit, për rastin e sulmit fizik të datës 11.04.2023, ndaj gazetarit Valon Syla, arrestimi i të cilëve është realizuar sot me datë 12.04.2023”, bën të ditur komunikata.
Publikohen pamjet me VIDEO, momenti i sulmit fizik ndaj Valon Sylës
Tre të dyshuarit janë arrestuar nën dyshimet se kanë kryer veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mos durimit”.
“Të arrestuarit janë personat e dyshuar me inicialet L.D, K.H dhe O.H. si dhe të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mos durimit”.
“Tre të arrestuarit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje, si dhe brenda afateve ligjore do të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit”, thuhet tutje.
Ndërkaq, mediumi Paparaci ka zbuluar edhe emrat e tre të dyshuarve për sulm ndaj Valon Sylës. Bëhet fjalë për Lum Dervishin, Kenan Hasanin dhe Okan Hasanin.
Kusari: Është shokuese që Presidentja jonë juriste nuk reagon kur gjakoset një gazetar
Për arrestimin e tre të dyshuarve, njoftoi edhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla.
“Pas një pune intensive të Policisë së Kosovës, tashmë janë arrestuar tre sulmuesit e gazetarit Valon Syla. Përgëzoj Policinë e Kosovës për përkushtimin dhe profesionalizmin që garanton siguri për të gjithë si dhe sundim të rendit dhe ligjit”, ka shkruar ai në Facebook.
Orëve të vona të së martës, gazetari Valon Syla u sulmua nga tre persona, sulm ky që u dënua nga instanca të larta të shtetit, e deri te organizata mediale kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Mulla Mercedesi”, etiketimi që Syla ia bëri hoxhës nga Mitrovica që pranoi dhuratë një veturë të tipit Mercedes, me gjasë shihet si shtysë e këtij sulmi, ndonëse akt i pajustifikueshëm.
Një gjë të tillë e tha edhe vetë ai, derisa sulmuesit i konsideroi “tre islamikë fanatikë”. /Reporteri.net/.