×
  • Lajme
  • Lajme / Propozimi për qeveri të tranzicionit

    Abdixhiku: Keqardhje për keqpërdorimin qe po u bëhet disa partive minoritare, instrumentalizim i ulët

    Reporteri
    07 Maj 2025 | 12:04

    Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dalë me një deklaratë pas reagimeve të përfaqësuesve të komuniteteve jo-shumicë, Emilija Rexhepit, Elbert Krasniqit dhe Nenad Rashiqit, që janë edhe anëtarë të kabinetit qeveritarë në detyrë lidhur me propozimin e tij për krijimin e një qeverie të tranzicionit. Ata pretendojnë se janë injoruar në këtë propozim, ndonëse përmenden në letrën e Abdixhikut. 

    Ai ka thënë se partitë minoritare  po keqpërdoren dhe instrumentalizohen, shkruan Reporteri.net.

    “Të painteresuar me përmbajtje por fatkeqësisht të interesuar në kopjimin e gjuhës fyese të polarizuesve, tre përfaqësues minoritarë, anëtarë të kabinetit qeveritarë në detyrë, mbajtën sot Konferencë ku akuzuan LDK-në se nuk i ka përfshirë në propozimin tranzitor. Disa shkuan aq larg sa që për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës, e quajtën Lidhjen Demokratike – parti shoviniste. Ky qëndrim, kopjim i dëmshëm i urrejtjes së panevojshme, është instrumentalizim i ulët i përfaqësuesve të komuniteteve që sot duhet të kenë përfaqësim dinjitoz me të gjitha partitë parlamentare shqiptare”, ka shkruar Abdixhiku.

    Në propozimin e LDK’së përmenden edhe komunitetet jo-shumicë si pjesë e kësaj qeverie, ndonëse reagimet e tyre janë sikur të ishin lënë jashtë.

    Abdixhiku ka thënë se nuk është krim po të kërkosh bashkim ndër-shqiptar.

    “Mbi të gjitha, të jesh shqiptar nuk është krim. Të kërkosh bashkim ndër-shqiptar nuk është krim. Të kërkosh unitet politik brenda shqiptarëve nuk është krim. Bashkëpunimi politik ndërshqiptar është mision politik i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që nga viti 1989 e deri më sot”.

    Ai ka thënë se për herë të parë përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë mbajnë anë partiake.

    “Jo vetëm anë, por renditen në vargun e gjatë të akuzave kundër një partie shqiptare, madje në këtë legjislacion, dhe ndaj vullnetit të shumicës parlamentare shqiptare të përfaqësuar me 52 deputetë. Një qasje e tillë është e dëmshme dhe për komunitetet jo shumicë, dhe për demokracinë parlamentare”, ka shkruar Abdixhiku.

    Ai ka publikuar edhe pjesën e letrës ku përmenden komunitetet jo-shumicë, që ka thënë se po refuzohet të lexohet qëllimisht.

    “Qeveria Nacionale e Tranzicionit, e formuar nga të gjitha partitë shqiptare dhe, në përputhje me dispozitat kushtetuese, EDHE NGA PËRFAQËSUES TË PARTIVE TË KOMUNITETEVE JOSHUMICË, do të ketë afat të caktuar (deri në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri), qëllime të qarta politike dhe ekzekutive, program dhe agjendë ekzekutive të dakorduar, si dhe kryeministër dhe kabinet përfaqësues dhe unifikues.”/

    Elbert Krasniqi, me pretendimin se u lanë jashtë, në një konferencë se ky veprim nuk është në përputhje me frymën multietnike të Kosovës.

    “Kemi një vërejtje të madhe për deklaratën për media të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili u bën thirrje vetëm partive shqiptare dhe përjashton partitë e komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Kosovës. Këtë nuk po e theksojmë për faktin se presim një ftesë për t’u përgjigjur, por sepse kjo qasje nuk është në përputhje me frymën e Republikës së Kosovës dhe nuk është në përputhje me frymën multietnike të Kosovës. Për këtë duhet të kemi një vërejtje të drejtpërdrejtë”, tha Krasniqi.

    Të martën edhe Rexhepi, e ka cilësuar si të turpshme, të papranueshme dhe jashtëzakonisht të rrezikshme propozimin e LDK-së për nisjen e procesit për formimin e një qeverie tranzicionale.

    „Një qasje e tillë është shoviniste, politikisht regresive dhe thellësisht e dëmshme për vizionin e një Kosove moderne dhe multietnike. Si zëvendëskryeministre e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të drejtat e njeriut dhe për çështjet e komuniteteve jo-shumicë, por para së gjithash si boshnjakja më e votuar në zgjedhjet e fundit, duhet ta them qartë dhe me zë të lartë: Kosova nuk është dhe kurrë nuk do të jetë shtet i rezervuar vetëm për një grup etnik. Ajo i përket çdo qytetari të saj – qoftë ai shqiptar, boshnjak, turk, rom, serb, ashkali, egjiptian, goran apo kushdo tjetër që jeton dhe ndërton këtë vend“, ka shkruar Rexhepi./Reporteri.net

    Emilija Rexhepi i reagon ashpër Abdixhikut për propozimin e tij, pretendon se i la jashtë komunitetet jo-shumicë ani pse përmenden në letër

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!