×
  • Lajme
  • Lajme / Gjykimi

    Protesta e 2015’ës – polici i lënduar kërkon të mos ftohet më në seancë për shkak të zvarritjeve të rastit

    Reporteri
    02 Maj 2025 | 15:10

    Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pala e dëmtuar, zyrtari policor Naim Berisha, kërkoi të mos ftohet më për këtë rast, duke theksuar se çështja po zvarritet prej një dekade.

    Në këtë proces, të akuzuar për huliganizëm dhe sulm ndaj pjesëtarëve të policisë gjatë protestave të vitit 2015 janë Kushtrim Avdimetaj, Veron Hasani dhe Ardian Huli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Jam në gjendje të tërhiqem nga kjo lëndë, meqenëse kjo çështje po zvarritet. As nuk kam dhënë deklaratë në Prokurori apo Polici. Kam qenë i lënduar në atë kohë dhe askush nuk është marrë me mua për 10 vjet. Jam tepër i zhgënjyer”, deklaroi Berisha në gjykatë.

    Ai gjithashtu i kërkoi Gjykatës që ta lirojë nga përgjegjësia për të marrë pjesë në seancat e ardhshme të shqyrtimit gjyqësor.

    Lidhur me këtë kërkesë, gjykatësi i rastit, Eroll Gashi, sqaroi se një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm nëse prokurori i shtetit heq dorë nga dëgjimi i tij si dëshmitar.

    Ndërkohë, seanca e së premtes dështoi për shkak të mungesës së përfaqësuesit të prokurorisë. Gjykatësi Gashi bëri të ditur se prokurori ishte ftuar në mënyrë të rregullt dhe se për mungesën e tij ishin njoftuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore, si dhe kryetarja e Gjykatës Themelore.

    Në mungesë të kushteve ligjore, seanca u shty për një datë tjetër.

    Edhe seanca e 12 shkurtit 2025, e 26 marsit 2025 e 27 marsit 2025 dhe ajo e 25 prillit 2025 ishin shtyrë në mungesë të prokurorit të shtetit.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 17 dhjetor 2015, në këtë rast akuzohen Egzon Azemi, Luan Hoti, Naim Bunjaku, Kushtrim Avdimetaj, Veron Hasani dhe Ardian Huli.

    Mirëpo, për të akuzuarit Avdimetaj, Hasani dhe Huli është veçuar procedura penale dhe ndaj tyre veçmas po zhvillohet procesi gjyqësor.

    Në aktakuzë thuhet gjashtë të akuzuarit e lartcekur më 17 dhe 18 nëntor 2015, kanë marrë pjesë në turmën-protestën e organizuar, e cila protestë ka eskaluar dhe përkundër faktit se forcat e rendit vetëm ishin rreshtuar dhe po mbanin situatën nën kontroll, të akuzuarit si pjesëmarrës aktiv të protestës, i kanë sulmuar seriozisht policët e Kosovës, duke i goditur me gurë, pllaka betoni dhe mjete tjera të forta.

    Aty thuhet se si pasojë e kësaj u janë shkaktuar lëndime të lehta trupore pjesëtarëve të policisë, të dëmtuarave Smail Sadiku, Naim Berisha dhe Ekrem Vllasa, si dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

    Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, nga neni 412, paragrafi 1, si dhe veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga neni 410, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!