Pas tubimit pranë objektit të EULEX-it, protestuesit janë orientuar drejt sheshit, ku është kërkuar vazhdimi i protestës.
Në mesin e turmës është bërë thirrje që protestuesit të largohen nga hapësira pranë objektit të EULEX-it dhe të vazhdojnë tubimin në shesh. Zhvendosja është bërë në koordinim me Policinë e Kosovës.
Protesta është zhvilluar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Numër i madh qytetarësh janë mbledhur për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj vendimit.
Gjykata Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Specialja ka konstatuar se të katër ishin përgjegjës për ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimit mizor kundër 49 personave, torturës kundër 303 personave dhe vrasjes së paligjshme kundër 96 personave.
Ata u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit pasi nuk u vërtetua dyshimi se kanë kryer sulme ndaj popullatës civile. Gjithashtu të akuzuarit u shpallën të pafajshëm në lidhje me një numër incidentesh krime lufte.