Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj ka njoftuar se sot 4 aktivistë të kësaj partie janë dënuar me nga 200 euro për një për një aktivitet protestues që ata kishin bërë në ndërtesën e kryeministrisë.
Molliqaj ka thënë se për një muaj aktivistëve të kësaj partie u janë shqiptuar gjoba në vlerë të 1600, përkundër se, siç thotë ai gjatë aktiviteteve të tyre gjithmonë kanë respektuar masat, duke mbajtur distancën dhe maskat, shkruan Reporteri.
Sipas Molliqajt, ndaj tyre po aplikohet një çasje diskriminuese dhe krejtësisht e pabarabartë nga ana e institucioneve.
Ai ka theksuar se LDK dhe VV, përgjatë tërë kohës po vazhdojnë fushatën në Besianë duke organizuar tubime e takime pa asnjë masë, dhe nuk po dënohen.
Reagimi i plotë:
Ndëshkim politik në emër të ligjit mbi pandeminë
Sot, rastësisht morëm vesh se 4 aktivistë të PSD-së jemi dënuar me nga 200 euro gjobë për aktivitetin protestues që e kemi mbajtur në ndërtesën e kryeministrisë ku tregonim pabarazitë e pakos ekonomike të qeverisë. Asnjë njoftim zyrtar nuk e kemi marrë për këtë dënim dhe arsyet e tij.
Për më pak se 1 muaj, na janë shqiptuar gjoba në vlerë të 1600 eurove për shkak të aksioneve politike publike të cilat i kemi organizuar si parti politike. Në të gjitha rastet është respektuar distanca dhe mbajtja e maskave. Nuk kemi shkaktuar asnjë rrezik lidhur me përhapjen e pandemisë.
Ndërkohë, jemi dëshmitarë të një çasje diskriminuese dhe krejtësisht të pabarabartë të institucioneve. LDK dhe VV, përgjatë tërë kohës po vazhdojnë fushatën në Besianë duke organizuar tubime e takime pa asnjë masë, dhe nuk po dënohen.
Dënimet që na janë shqiptuar neve janë tërësisht të padrejta dhe si të tilla unë nuk do t’i paguaj. Në mungesë të masave të duhura, qeveria ka zgjedhur përndjekjen dhe policimin e qytetarëve. Kjo është e papranueshme. E drejta e protestës nuk guxon të cënohet në asnjë mënyrë. Çdo tentativë për të mbytur kundërshtimet përmes gjobave do të jetë e paefektshme.