×
  • Lajme
  • Lajme

    Pse takimi i sotëm Thaçi-Kurti, ka rëndësi të dyfishtë

    Reporteri
    06 Janar 2020 | 12:08

    Sot kur po bëhen tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, në orën 15:00 pritet të ndodh takimi në mes të dy oponentëve më të mëdhenj politik në Kosovë, në mes të presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.


    Rëndësia e këtij takimi është më e madhe se sa akti formal për të cilin është thirrur ky takim. Kurti ka fituar zgjedhjet e fundit parlamentare, dhe te Thaçi po shkon formalisht të marr mandatin për kryeministër.

    Në rrethana të tjera, ky takim do të ishte pak i rëndësishëm. Por, rëndësia e tij, më shumë se sa e nominimit për kryeministër të Kurtit, është se si do të reagojnë këta të dy, kur do të kenë njëri-tjetrin përballë, pasi në të kaluarën në raste të tilla, nuk i kanë shtërnguar as duart.

    Kur Thaçi ishte zgjedhur presidentit, partia e Kurtit kishte organizuar protesta të dhunshme jashtë Kuvendit të Kosovës, duke hedhur edhe shishe molotovi. Kurti dhe partia e tij deri vonë nuk e kishin pranuar Thaçin për president, duke thënë se ai këtë mandat e kishte marrë nën masa policore, të cilat sipas tyre, kishin penguar vullnetin qytetarë të shprehur përmes protestës, edhe pse në protestë nuk është se kishin marrë pjesë më shumë njerëz se disa qindra aktivistë të VV’së.

    Ky raport në mes të Kurtit e Thaçit u pa edhe pasi ky i fundit i dërgoi ftesën liderit të partisë fituese për të shkuar në konsulta për caktim të mandatarit të qeverisë.
    Kurti i injoroi disa ftesa dhe termine të caktuara nga Thaçi, derisa në fund vendosi vetë për një termin të ri, të cilin presidenti ia konfirmoi.

    Presidenca sot ka njoftuar se në ora 15:00, do të takohen Hashim Thaçi dhe kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje (VV), Albin Kurti

    “Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në orën 15:00 pret kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për t’u konsultuar për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e dërguar për media të Presidencës.

    Sipas njoftimit mediat do të mund të marrin pamje në fillim të takimit, pamje të cilat pritet të komentohen jashtëzakonisht shumë, sidomos në rrjetet sociale.

    Nëse Kurti merr sot mandatin nga presidenti Thaçi, atëherë i ka në dispozicion pesëmbëdhjetë ditë për bërë votat që qeveria e tij të mund të votohet në Kuvendin e Kosovës.

    Kjo ende është e paqartë, pasi LDK, parti me të cilën VV është në negociata për koalicion, nuk po pajtohet të bëhet pjesë e qeverisë Kurti, pa garancionin se posti i presidentit pas një viti do të duhet t’i takoj asaj. /reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!