×
  • Lajme
  • Lajme

    Pse takimi Kurti-Vuçiq do të mbahet në Ohër? Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut tregon arsyet

    Reporteri
    16 Mars 2023 | 7:41

    Kryediplomati shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, të martën e 14 marsit, në takim me qytetarët e Shkupit, ka folur për rëndësinë e faktorit shqiptar në vend dhe takimin e radhës mes Kosovës dhe Serbisë, ku pritet të diskutohet për planin e zbatimit të propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të të dyja shteteve.

    “Për një javë, në Ohër takohet kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë. Shpresoj për të nënshkruar Marrëveshje për njohje. A e dini pse pikërisht në Ohër? Si mirënjohje për suksesin e Marrëveshjes së Ohrit. Por, edhe si mirënjohje për rolin tonë të ri si shtet në rajon”, ka deklaruar Osmani.

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq më 18 mars pritet të takohen në Ohër për të diskutuar për planin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilën dy shtetet kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt në Bruksel.

    Në njoftimin e zyrës së Bashkimit Evropian bëhet e ditur se takimet e ndara do të zhvillohen duke filluar në ora 10:00, ndërsa ai trepalësh pas mesditës.

    “Duke filluar nga ora 10:00, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq”, thuhet në njoftim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!