×
  • Lajme
  • Lajme

    Pse Vuçiq nuk po e thotë të vërtetën kur deklaron se Kosova ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit me aplikimin në KE

    Reporteri
    12 Maj 2022 | 12:44

    Kosova edhe zyrtarisht e ka dorëzuar sot aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Aplikimin e Kosovës për anëtarësim në KE presidenti serb, Aleksadër Vuçiq po e cilëson si shkelje të marrëveshjes së Uashingtonit.

    Disa minuta pasi Qeveria e miratoi në parim nismën për anëtarësim, Vuçiqi iu drejtua mediave duke iu thënë se “e prishën” marrëveshjen, referuar Kosovës, shkruan Reporteri.net.

    “Gërvalla para pesë minutash ka dorëzuar kërkesën zyrtare për aplikim të Kosovës në Këshillin e Evropës. Me këtë ata treguan se e kanë përmbysur, shkelur brutalisht marrëveshjen e Uashingtonit. Pas dhjetë vjetësh të shkeljes së marrëveshjes së Brukselit, ata tani po shkelin marrëveshjen e Uashingtonit”, tha Vuçiq për mediat serbe.

    Por, mediumi serb Nova.rs përmes një artikulli ka argumentuar se pse Vuçiq nuk po e thotë të vërtetën kur deklaron se Kosova ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit me aplikimin për anëtarësim në KE.

    Ky medium shkruan se kjo nuk është e vërtetë, të paktën kur bëhet fjalë për dokumentin që Vuçiq ka nënshkruar gjatë administratës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

    Por, a është pikërisht kështu dhe çfarë shkruhet saktësisht në marrëveshjen që u nënshkrua në prani të ish-presidentit Donald Trump.

    Aty thuhet: “Kosova (Prishtina) do të pranojë të aplikojë një moratorium një vjeçar për aplikimin për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Serbia (Beogradi) do të pajtohet me një moratorium një vjeçar në fushatën e saj për të tërhequr njohjen ( e pavarësinë e Kosovës) dhe do të përmbahet nga çdo kërkesë zyrtarisht ose joformalisht nga ndonjë komb apo organizatë ndërkombëtare që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur”.

    Pra, moratoriumi njëvjeçar nga kjo marrëveshje skadoi shtatorin e kaluar, duke pasur parasysh se ishte nënshkruar në të njëjtin muaj të vitit 2020.

    Mediumi serb ia rikujton presidentit serb se veprimi i sotëm i Prishtinës nuk e shkel as Marrëveshjen e Brukselit, të cilën e kishte nënshkruar kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

    Gjegjësisht, në pikën 14 të asaj marrëveshjeje thuhet se është rënë dakord që “asnjëra palë nuk do të bllokojë apo inkurajojë të tjerët që të bllokojnë përparimin e palës tjetër në rrugën e saj drejt BE-së”.

    Për shkak të kërkesës së Prishtinës zyrtare për pranim në Këshillin e Evropës, presidenti i Serbisë ka caktuar seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për nesër në ora 11:00. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!