Nënkryetarja e LDK’së, Doarsa Kica-Xhelili, ka dalë me një reagim pas serisë së komunikimeve të brendshme në grupin e LDK’së që i publikoi Gazeta Online Reporteri.net, ku e fundit ishte përgjigja e kreut të kësaj partie, Lumir Abdixhikut drejtuar Avdullah Hotit lidhur me shqetësimet që kishte ngritur ai për votat me postë të mërgatës.
Në këtë komunikim, shihet se për kryetarin e LDK-së akuzat për vjedhje të votave brenda listës zgjedhore të partisë dhe insistimi në “strukturë të organizuar kriminale” nuk ishin brengë. Sipas tij s’do të duhej të ishin as për bashkëpartiakët e tij, e madje i quante “luks momental”, që s’habitej që disa i kishin.
Kica-Xhelili ka thënë se LDK po sulmohet nga tri grupe, teksa për komunikimet e anëtarëve të kryesisë ka thënë se po hiperbolizohen mendimet personale.
“Ekzaltimi i tyre përfundon në pastërtinë e konkluzionit në kryesi: Kush ka dëshmi për orientim jolegjitim të votës përbrenda – urdhëroni shkoni në prokurori. Përndryshe, ne nuk mund të lëshohemi në pakënaqësitë e rezultateve individuale të “thash më the”-ve. Ato vota janë votë e LDK-së. Se nëse dikush i ka orientuar brenda për brenda kundërligjshëm – adresën e trajtimit e kanë. Ne nuk jemi as prokurori, as gjykatë”, ka shkruar Kica-Xhelili.
Me “Përshëndetje Avdullah”, e nis Abdixhiku mesazhin e tij në grupin në “Viber” të kryesisë qendrore të LDK-së, si kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë për shqetësimet që i kishte ngritur ish-kryeministri në të njëjtën bisedë të brendshme.
Kryetari Abdixhiku është i brengosur vetëm për votat e partisë, pohonte vetë me shkrim i pari i LDK-së.
“Jam i interesuar që LDK të fitojë mandatin e 21-të. Këto çështjet tjera janë luks momental të cilën dhe nuk habitem që e keni. Sikur të ishim të gjithë të brengosur për këtë gjë, i kishim pas punët shumë më mirë”, shkruante Abdixhiku në “Viber”, derisa i përgjigjej vetëm shqetësimeve të Avdullah Hotit, i cili pajtohej me kërkesën e anëtarëve tjerë të kryesisë së LDK-së që kërkonin që situatës t’i vihej emri: “skemë e organizuar kriminale”.
“Në fakt jam i brengosur për nënperformacën e degëve nga realizimi i votave të regjistruara në vota aktuale për partinë. I kemi pasë të raportuara 40 mijë regjistrime, e po na realizohen gjysma e tyre në vota. Për këtë do të duhet të kishim brengë! Ju lus që të na kurseni nga ironitë…”, thuhej nder tjera në mesazhin e Abdixhikut.
Nga ana tjetër, Gazeta online Reporteri.net të hënën ka publikuar edhe përplasjen në të njëjtin grup në “Viber” mes Kujtim Shalës dhe Arben Gashit. Ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së po këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave brenda LDK-së dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë e organizuar kriminale”.
Publikimi i këtij debati të brendshëm në grupin e Kryesisë qendrore në “Viber” ka nxitur të hënën mbrëma edhe reagimin e vetë kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Në Facebook, ai i quajti sulme të sinkronizuaran ndaj LDK-së “të nisura që nga përfundimi i zgjedhjeve” dhe sipas tij “nuk janë as të rastësishme e as të paqëllimshme”. “Ato rikulmuan dhe sonte, në sinkron!”, shtoi Abdixhiku, vetëm pak minuta pasi gazeta online Reporteri.net paralajmëroi publikimin edhe të mesazhit të tij në vazhdën e serisë së publikimit të komunikimeve të brendshme të zhvilluara në grupin në “Viber” të LDK-së.
“Janë sulme që për target pështyme kanë, merreni me mend, partinë e vendit të tretë. Ne, sërish, për të satën herë nga vendi i tretë – siç na kujtojnë këta si të parëndësishëm – jemi fajtorët kryesorë për secilën gjë në këtë vend. Në këto sulme të paramenduara e në sinkron, janë bërë bashkë kundërshtarët e rinj e të vjetër të Lidhjes; dhe gjithë ata që ndjejnë se kanë humbur hapin me hapjen e madhe që në LDK ka ndodhë, po ndodhë dhe do të ndodhë”.
Ndryshe, “skemë kriminale”, gjendjen me votat me postë brenda listës zgjedhore të LDK-së e kishte emërtuar edhe anëtari tjetër i kryesisë Shkëmb Manaj. Një mesazh të tij që akuzonte partinë për vjedhje të votave, të cilin Manaj e kishte dërguar në një nga grupet e brendshëm të komunikimit të Kryesisë së partisë, e ka nxjerrë në publik gazeta online Reporteri.net, të premten e javës që shkoi.