×
  • Lajme
  • Lajme

    Publikohet fatura, sa pagoi Telekomi për ndejën ku u plagos zëvendësdrejtori

    Reporteri
    06 Janar 2020 | 11:37

    Fiks 7 mijë e 370 euro janë shpenzuar nga Telekomi i Kosovës për ndejën luksoze të fundvitit, ku zv/drejtori i departamentit të Logjistikës, Shaban Ramaj kishte mbetur i plagosur pas një rrahje fizike me zv/drejtorin tjetër të këtij departamenti, Arsim Ramadanin


    Ndeja që ishte organizuar dhe kishte shpenzime për t’u festuar, gati ishte kthyer në një tragjedi nga dy zv/drejtorët. Ndonëse, Telekomi i Kosovës kishte bërë përgatitjet dhe shpenzimet për një festë luksoze, dy zv/drejtorët kishin preferuar qërimin e hesapeve.

    Për një festë sa më të mirë, Telekomi i Kosovës kishte angazhuar këngëtar, DJ dhe kishin dekoruar lokalin “Anex Bar” në Prishtinë. Vetëm për muzikë ishin shpenzuar 1 mijë e 450 euro.

    Ndërkohë vetëm për secilin person Telekomi i Kosovës ka paguar nga 20 euro, që përfshin ushqim dhe pije. Në këtë ndejë janë llogaritur 286 zyrtarë të Telekomit të Kosovës, që buxhetit i kanë kushtuar 5 mijë e 920 euro. Në total shpenzimet e kësaj ndeje kanë shkuar në 7 mijë e 370 euro.

    Portali ‘Sinjali’ ka publikuar faturën e shpenzimeve të Telekomit të Kosovës të ndejës së 20 dhjetorit.

    Në ndejën e organizuar më 20 dhjetor të vitit 2019, kishte pasur një përleshje mes dy zv/drejtorëve të Logjistikës, Shaban Ramajt dhe Arsim Ramdanit.

    E gjithë ngjarja kishte filluar me dhunë fizike mes tyre, ndërsa në dalje të objektit ishte dëgjuar një e shtënë me armë zjarri. Aty sipas Policisë së Kosovës i vet-plagosur kishte mbetur Shaban Ramaj.

    Ironia e gjithë kësaj ngjarje është se Policia e Kosovës këtë rast në raportin 24-orësh e kishte cilësuar si përleshje e më pas plagosje mes të rinjve.

    Arsyeja që kishte quar në këtë përleshje kishte qenë kërkesa e drejtorit ekzekutiv, Bedri Istrefit.  Ai u kishte kërkuar që njëri prej tyre ta lironin postin e zv/drejtorit për shkak se nuk mund ta mbajnë të dytë të njëjtën pozitë dhe të paguhen me pagë prej 2 mijë e 500 eurove në muaj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!