Pas një jave, Qeveria Kurti II mbush një vit e tre muaj prej kur u votua nga Kuvendi për të udhëhequr me vendin. Mbështetja që e solli në pushtet del se ka rënë drastikisht sipas matjeve të fundit të publikuara nga Gazeta Nacionale që raporton se janë matje të bëra nga një organizatë kredibile ndërkombëtare.
Në bazë të kësaj matje e bërë vetëm brenda komunitetit shqiptar, del se VV i merr jo më shumë se 34% të votave. Ajo pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 24.2 për qind dhe PDK me 20.7 për qind. Ndërkohë, AAK arrin të ketë 6 për qind.
Nëse në ekuacion do të futeshin edhe komunitetet tjera, atëherë përqindja e secilës parti do të binte për 3 deri në 5 për qind.
Rritjen bindshëm më të madhe sipas kësaj matjeje e ka shënuar LDK-ja gati duke e dyfishuar rezultatin që e kishte në vitin 2021, çka përbën njëkohshëm edhe sinjal të mirë për opozitarizmin e bërë përgjatë kësaj kohe.
Në anën tjetër, 11.5 për qind nuk kanë shprehur votën e tyre (refuzoj/pavendosur).
Siç raporton Nacionale, matja e opinionit publik nga organizata ndërkombëtare në fjalë ka shtruar edhe një pyetje domethënëse që ilustron në mënyrë të qartë arsyen prapa rënies së mbështetjes për Vetëvendosjen: “Cilat janë çështjet që ju shqetësojnë më së shumti?”
Shqetësimi më i madh i qytetarëve në këtë kohë të rritjes së çmimeve të produkteve esenciale ishte pikërisht rritja e çmimeve të produkteve (15.2 për qind). Në vend të tretë ishte rritja e çmimit të energjisë.
Ndërkohë, të pyetur se “si e vlerësonin punën e qeverisë në menaxhimin e rritjes së çmimeve?” vetëm 3.5 për qind prej tyre janë përgjigjur “shumë të mirë” derisa vetëm 8.8 për qind si “të mirë”.
Të dobët e kanë vlerësuar 34 për qind ndërsa shumë të dobët 38.8 për qind.
Pak shpresë për liderët që janë në pushtet jep matja e besimit sa i përket figurave politike. Nga 1 (aspak) e deri në 5 (besim i plotë) kanë vlerësuar pesë prej tyre: Vjosa Osmanin, Albin Kurtin, Lumir Abdixhikun, Memli Krasniqin dhe Ramush Haradinajn.
Megjithëse dallimet janë minimale mes katër të parëve, vendin kryesues e zë presidentja Vjosa Osmani (2.93) e pasuar nga Albin Kurti (2.81), ndërkohë që më së paku besim është dhënë për Ramush Haradinajn që ka marrë 1.88.