Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Rajonale KRM “Pastrimi” janë duke zhvilluar protestë para Komunës së Prishtinës.
Ata po protestojnë pasi ndihen të cënuar për humbjen e vendeve të punës, pas tenderit në vlerë prej 16 milionë e 400 mijë euro që shpalli Komuna e Prishtinës për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, që e çon këtë ndërmarrje drejt falimentimit.
Punëtorët po mbajnë protesta në dorë me mbishkrimin “Jo falimentim për pastrim”, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ata thanë se kryetari Përparim Rama e drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci po e falimentojnë ndërmarrjen publike “Pastrimi”.
“Marre, marre”, u dëgjuan duke brohoritur ata para ndërtesës së Komunës së Prishtinës.
Ata thanë se Kryetari i Komunës, Përparim Rama dhe Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, po marrin hapa që çojnë drejt falimentimit të kompanisë publike “Pastrimi” dhe se po rrezikojnë vendet e punës të 900 punëtorëve.
Tenderi është i ndarë në gjashtë lote, derisa kohëzgjatja e kontratës është për 36 muaj apo tri vjet.