×
  • Lajme
  • Lajme

    Punëtori i KRU Prishtina: Gjatë pastrimit të pusetës në lagjen “Vneshta” kemi gjetë shporet

    Reporteri
    01 Janar 2022 | 18:32

    Tekniku i rrjetit të ujërave të zeza në KRU “Prishtina”, Valmir Morina, thotë se i gjithë sistemi i ujërave atmosferikë në kryeqytet është i futur në atë fekal dhe janë të përziera e që nuk lejohet.

    Ai si i ftuar në emisionin festiv “Ju flet Prishtina” tregoi se gypat janë të ngushtë, derisa thotë se është papërgjegjësi e qytetarëve që hedhin mbeturina të ngurta dhe inerte në puseta.

    “Më shumë hedhin pallomat e lagura e që janë kancer për rrjetin e sistemit të ujërave të zeza. Ka edhe tepihë, kauçë, jorganë, jastëkë, pjesë të veturave, goma, maska, ndonjë pjesë e asfaltit derisa ndodh edhe që kompanitë e papërgjegjshme të hedhin nëpër puseta material ndërtimor pasi t’i kryejnë punimet”.

    Ai tha se edhe mbetjet e kafshëve hidhen në puseta, derisa ka ndodhur që punëtorët gjatë pastrimit të një pusete në lagjen “Vneshta” ta gjejnë edhe një shporet të druve i cili ka qenë i deformuar.

    “Mund të them se 50% të rasteve te ndërtimet e reja sistemi i ujërave të zeza ka qenë për shtëpi kolektive e që tash shfrytëzohet për ndërtim të lartë, pa asnjë investim në të. Gypat janë të diametrit të vjetër, numri i banorëve është shtuar, po ashtu pusetat janë punuar pa standarde dhe nuk e kanë nivelin e rënies sa duhet e as nuk kanë izolim sa duhet”.

    Morina tregoi se nëse ka edhe reshje atmosferike ndodh që brenda muajit të intervenojnë deri në 600 raste vetëm në qytetin e Prishtinës për zhbllokime të pusetave të ujërave të zeza.

    Ai kërkoi nga qytetarët që mbeturinat të hidhen në vendet e caktuara e jo në rrjetin e ujërave të zeza sepse, siç tha, kjo shkakton shumë probleme.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!