Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj një personi përgjegjës dhe një kompanie ndërtimore për shkak të zhvillimit të punimeve ndërtimore në kundërshtim me ligjin në një zonë të ndjeshme urbane në qendër të qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar të prokurorisë, aktakuza është ngritur kundër të pandehurit I.J., në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë “E.I.” Sh.P.K., për veprat penale “Punime ndërtimore të kundërligjshme” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”, në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nenet 360 paragrafi 1 dhe 406.
Hetimet kanë zbuluar se gjatë periudhës 5 deri më 23 prill 2024, në rrugën “Adnan Krasniqi” në Prizren, të pandehurit kanë tejkaluar lejen e ndërtimit duke filluar ndërtimin e një aneksi shtesë në pjesën e sipërme të një objekti kolektiv me lokale afariste. Pavarësisht urdhëresave të Inspektoratit për ndalimin e punimeve, kompania ka vazhduar me betonimin e pjesëve shtesë, përfshirë edhe ngritjen e shtyllave dhe traut mbi pllakën e penthausit.
Për më tepër, të pandehurit kanë hequr në mënyrë të paligjshme shiritat dhe vulat zyrtare të vendosura nga autoritetet komunale për ndalimin e mëtejshëm të punimeve, duke sfiduar kështu autoritetin ligjor dhe duke vazhduar ndërtimin në mënyrë të kundërligjshme.
Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me ligjet në fuqi./Reporteri.net/