×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimi

    Pushteti i Shaqir Totajt në Prizren ia shkurton për gati 30% buxhetin DokuFest’it: Goditje e rëndë për kulturën

    Reporteri
    10 Qershor 2025 | 9:43

    Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër ‘DokuFest’, ka thënë se Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport e Komunës së Prizrenit ka marrë vendim për të ulur ndjeshëm mbështetjen financiare për edicionin e këtij viti të festivalit.

    DokuFest ka njoftuar se shuma financiare e ndarë për ta është ulur për gati 30% në krahasim me vitin e kaluar, duke përbërë kështu më pak se 9% të buxhetit të përgjithshëm të festivalit, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    “Ne mendojmë që kjo nuk është vetëm një çështje buxhetore, por është një vendim që godet themelet kulturore të qytetit tonë dhe është në kundërshtim me gjithçka që kemi ndërtuar bashkë për afro çerek shekulli”, thuhet në reagimin e tyre.

    DokuFest potencon se ky festival ka promovuar Prizrenin duke e transformuar në një hapësirë kulturore ndërkombëtare, me shfaqje të filmave, performancave, punëtorive, ekspozitave dhe debateve.

    Ata thonë se ky transformim simbolik shoqërohet me efekte të matshme ekonomike dhe sociale:

    Reagimi i plotë:

    DokuFest reagon ndaj shkurtimeve të subvencioneve për të dytin vit me rradhë.

    “Një Nënvlerësim ndaj Kulturës, Komunitetit dhe Prizrenit”

    Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër ‘DokuFest’, shpreh shqetësim dhe zhgënjim të thellë ndaj vendimit të Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport të Komunës së Prizrenit për të ulur përsëri ndjeshëm mbështetjen financiare për edicionin e këtij viti të festivalit.

    Përkundër rritjes së buxhetit të përgjithshëm për kulturë, shuma e ndarë për DokuFest është ulur për gati 30% në krahasim me vitin e kaluar, duke përbërë kështu më pak se 9% të buxhetit të përgjithshëm të festivalit. Kjo është hera e dytë radhazi që Komuna zgjedh të shkëpusë mbështetjen për një festival që tash 24 vite ka qenë boshti kryesor kulturor i qytetit dhe një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Evropën Juglindore.

    Ne mendojmë që kjo nuk është vetëm një çështje buxhetore, por është një vendim që godet themelet kulturore të qytetit tonë dhe është në kundërshtim me gjithçka që kemi ndërtuar bashkë për afro çerek shekulli.

    Secilin vit në gusht, DokuFest ka promovuar Prizrenin duke e transformuar në një hapësirë kulturore ndërkombëtare, me shfaqje të filmave, performancave, punëtorive, ekspozitave dhe debateve.
    Ky transformim simbolik shoqërohet me efekte të matshme ekonomike dhe sociale:

    • Më shumë se 16,700 vizitorë morën pjesë në DokuFest 2024, prej tyre rreth 5,000 ndërkombëtarë.
    • Sipas ATK-së dhe Institutit GAP, vizitorët shpenzuan afro 4.1 milionë euro gjatë festivalit.
    • Qarkullimi i bizneseve të Prizrenit u rrit me 29% në muajin gusht krahasuar me korrikun.
    • Për çdo 1 euro të investuar nga fondet publike, DokuFest ka kthyer 22.8 euro në ekonomi.
    • Festivali gjeneron mbi 100 vende pune sezonale për të rinjtë dhe përfshin 120 vullnetarë që mësojnë aftësi të reja, të pazëvendësueshme dhe esenciale për Ekonominë Kreative në Kosovë.

    Për 24 vite me radhë, DokuFest e ka pozicionuar Prizrenin në hartën botërore të kulturës. Ka sjellë në qytet artistë, turistë dhe profesionistë nga mbi 60 vende të botës, duke ndikuar në zhvillimin e turizmit, kinemasë dhe diplomacisë kulturore.

    Megjithatë, vendimi i komunës për të mos e trajtuar DokuFest-in si partner strategjik kulturor është i pakuptimtë dhe kërcënon të dëmtojë një ekosistem të ndërtuar me mund e përkushtim ndër vite.

    Ftojmë Komunën e Prizrenit që të rishqyrtojë me urgjencë këtë vendim të ngutshëm dhe të riafirmojë përkushtimin ndaj kulturës dhe qytetarëve të saj. DokuFest nuk është vetëm një ngjarje, por është një investim në të ardhmen kulturore dhe ekonomike të qytetit.

    Festivali do të vazhdojë misionin e vet, por u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve tanë: artistëve, qytetarëve, institucioneve, donatorëve dhe dashamirësve të kulturës të qëndrojnë me ne.
    Kultura nuk është luks. Është identitet. Është zëri i qytetit!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!