×
  • Lajme
  • Lajme / Zgjedhje të reja?

    Pushteti këmbëngul se Kurti nuk jep dorëheqje, insiston në shpërndarje të Kuvendit

    Reporteri
    29 Mars 2024 | 9:20

    Gjatë ditëve të fundit, pozitë e opozitë kanë folur për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. Kjo pasi oferta e kryeministrit Albin Kurti për partitë opozitare se “bashkë mund t’i bëjnë numrat për ta shpërndarë Kuvendin”, ka rikthyer debatin për zgjedhje të parakohshme në vend.

    Kreu i ekzekutivit kosovar garantoi se do t’ia sigurojë opozitës dy të tretat (2/3) e votave të nevojshme për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

    Mirëpo, pushteti këmbëngulë se dorëheqje të kryeministrit nuk do të ketë. “Kushti” i tyre për shkuarje në zgjedhje të reja është shpërndarja e Kuvendit.

    Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti, javën e kaluar tha se ka vullnet që zgjedhjet të mos mbahen në dimër, por gjatë verës, dhe tha se atëherë mund të caktohet një datë në koordinim mes qeverisë dhe opozitës, megjithatë potencoi se si kryeministër, s’jep dorëheqje.

    “Ne dëshirojmë të vazhdojmë qeverisjen. Ne kuptojmë që janë 12 muajt e fundit, pas 12 muajve, mund të jetë situata e një dimri që nuk e dimë çfarë është për zgjedhjet e radhës. Shkurti 2021, moti s’ka qenë edhe i keq, por s’ka qenë as i mirë. Nëse duam që zgjedhjet ti mbajmë jo në dimër, për shembull, normalisht që ne jemi njerëz të arsyeshëm, mund të caktojmë data bashkë me opozitën, por dorëheqje s’mund të japë”, ka thënë Kurti.

    Kurti: Dorëheqje s’jap, nëse opozita do zgjedhje mund të dakordohemi bashkë për datën

    Këtë e ka përsëritur mbrëmë edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Haxhiu, njëjtë si Kurti ka sfiduar opozitën, duke thënë se janë të gatshme për zgjedhje të reja, madje qysh javën e ardhshme nëse ata dëshirojnë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Haxhiu tha qeveria është e gatshme për zgjedhje të reja, nëse këtë e do opozita, por shtoi se dorëheqje të kryeministrit nuk do të ketë. Sipas saj kudo që opozita është gati për shpërbërje të Kuvendit kjo mund të ndodhë.

    “Këta po thonë po duam zgjedhje, por në fakt nuk është ajo çka duan… Për neve në të dielën e ardhshme me qenë e mundshme shkojmë në zgjedhje. Kur do që dëshiron opozita mundemi të shkojmë në zgjedhje. Me dashtë opozita me shku në zgjedhje e kishin votuar shpërndarjen e Kuvendit, por po thonë jo, po duam dorëheqjen e kryeministrit”, tha Haxhiu në RTK.

    Ofertës së kryeministrit Albin Kurti për zgjedhje të parakohshme nuk i janë përgjigjur njësoj partitë opozitare që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është përgjigjur duke e ftuar Kurtin të shkojnë në zgjedhje menjëherë. Ai madje, ia ka propozuar Qeverisë së Kosovës 9 qershorin si datë të zgjedhjeve të reja. PDK madje ka nominuar Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër nga kjo parti në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

    Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka përjashtuar mundësinë që kjo parti të mbështes ndonjë mocion për shpërndarje të Kuvendit. Sipas tij, Kurti është dorëzuar, andaj duhet që të jap dorëheqje.

    Ndërsa nga AAK kanë prezantuar një mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë se Kosovës. Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë një deklarimi për media të enjten tha se fillimisht duhet të definohet mënyra si të shkohet në zgjedhje, e pastaj të caktohet data. Kreu i AAK-së tha se kjo parti ka paraqitur mocion për rrëzimin e Kurtit dhe nëse shkohet drejt shpërndarjes së Kuvendit, kjo është agjendë e Kurtit.

    Sipas tij, njëherë duhet të vendoset se si të shkohet në zgjedhe e jo të flitet për datën e mbajtjes së tyre.

    Nëse kjo ndodh, atëherë i bie se Krasniqi po ia plotëson kërkesën Kurtit, ose është në koalicion me Kurtin, ka thënë Haradinaj.

    “Po duhet të shkarkohet qeveria, e mënyra se si shkojmë në zgjedhje ka shumë rëndësi. Unë po dëgjojë z. Krasniqi po i propozon data Kurtit. Ne së pari duhet ta definojmë mënyrën se si të shkojmë në zgjedhje, pra data pason pas procesit, e cili proces na çon në zgjedhje ka rëndësi, pra duhet me u shkarku njëherë qeveria Kurti. Para se të flasim për datën, ne duhet të flasim për mënyrën se si shkojmë në zgjedhje. Ne kemi mocion për shkarkim të qeverisë. Kështu është radha e punëve nëse shkojmë drejt me shpërndarje të Kuvendit që kërkon 2/3-at është kryesisht agjenda e Kurtit, që i bie se PDK-ja po ia plotëson kërkesën Kurtit ose kanë koalicion me Kurtin për mënyrën se si me ecë përpara drejt zgjedhjeve”, ka thënë Haradinaj gjatë ditës së djeshme. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!