Gjatë periudhës nëntëmujore të këtij viti, Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave ka ofruar ndihmë profesionale për 1277 raste të viktimave, 1145 prej të cilëve kanë qenë viktima të dhunës në familje, ndërsa ka pasur shtim të rasteve të dhunimeve seksuale.
“Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave ka ofruar ndihmë profesionale për 1277 raste të viktimave, prej tyre 1145 kanë qenë viktima të dhunës në familje. Po ashtu është vërejtur një shtim i rasteve të dhunimeve seksuale, ku gjatë kësaj kohe janë shënuar 23 raste, si dhe 25 raste të tjera të ngacmimeve seksuale”, ka thënë përmes një komunikate Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.
Ndërsa, tutje njofton se janë paraqitur 417 kërkesa për urdhër mbrojtjeje dhe 19 kërkesa për urdhër mbrojtjeje emergjente.
“Në anën tjetër, kemi një numër të konsiderueshëm të viktimave të cilave iu është kompensuar dëmi nga shteti”, ka thënë Lumezi.
Gjatë vitit 2020, janë bërë 36 kërkesa për kompensim të viktimave në Ministrinë e Drejtësisë, ku 6 prej tyre tashmë janë aprovuar, ndërsa të tjerat janë në shqyrtim, njoftoi kryeprokurori.
Lumezi në shënimin e “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit” ka thënë se viktimat e krimit ngadalë po i realizojnë të drejtat e tyre në përputhje me standardet evropiane dhe po marrin trajtimin e duhur nga institucionet.
“Këtë javë të gjithë i nderojmë viktimat e krimit dhe të gjithë ata që më përkushtim dhe profesionalizëm iu shërbejnë dhe ndihmojnë atyre. Përpjekjet dhe angazhimin tonë do ta vëmë në funksion të ndihmës për viktimat e krimit, duke iu mundësuar të gjitha viktimave që ta bëjnë një jetë normale në frymën e lirisë, paqes, drejtësisë dhe prosperitetit”, thuhet tutje nga fjala e tij për këtë javë.