×
  • Lajme
  • Lajme / Akuzat

    “Qelbësira, milionerë”, Faton Peci degradon me gjuhë ndaj Ermal Pandurit, reagon AGK

    Reporteri
    09 Maj 2025 | 9:54

    Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka degraduar me gjuhë ndaj gazetarit Ermal Panduri, duke e quajtur “qelbësirë”.

    Këtë deklaratë, Peci e ka bërë mbrëmë përmes një postimi në Facebook, pasi në emisionin e Pandurit u trajtuan raportimet për keqpërdorime në këtë ministri.

    “Pas një shfaqjeje teatrale, shpifjesh ordinere dhe shantazhi edhe ndaj mekanizmave hetues e prokurorëve, në fund qelbësira tha: “Paramendoni Kosova me pasë SPAK.” Po, valla, paramendoni ku do të përfundonin analfabetët si ti, që përmes shpifjeve e shantazheve të këtij lloji janë bërë milionerë”, shkroi Peci.

    Panduri iu kundërpërgjigj po mbrëmë, ku tha se nuk është milioner.

    “Unë nuk jam bërë milioner, z. Ministër. Por nëse për ju pasuria matet me integritet, atëherë po, jam më i pasur se shumë prej jush që e keni kthyer politikën në biznes personal”, shkroi Panduri.

    Gjuhën e përdorur nga Peci, e ka dënuar sot Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

    AGK-ja ka thënë se kjo është një sjellje e ultë dhe e dëmshme nga një zyrtar i lartë publik, teksa e ka ftuar Pecin që të ofrojë në mënyrë transparente përgjigje për raportimet rreth keqpërdorimeve të pretenduara në Ministrinë që ka udhëhequr në 4 vitet e fundit.

    “AGK-ja e fton Pecin dhe zyrtarët e tjerë të partisë politike, Vetëvendosje që të heqin dorë nga praktika e sulmeve dhe denigrimit të gazetarëve, për shkak të punës dhe raportimit të tyre”, thuhet në reagim./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!