×
  • Lajme
  • Lajme

    Qëndron Kastrati arsyeton mbylljen e shkollave, por s’e thotë asnjë fjalë për Karaçevën

    Reporteri
    14 Korrik 2019 | 22:25

    Nëntëmbëdhjetë shkolla pritet të mbyllen në Komunën e Kamenicës në muajin shtator, vendim ky i kryetarit Qëndron Kastrati.


    Në lidhje me këtë vendim përmes një letre drejtuar krerëve më të lartë të shtetit, i është drejtuar Kryetari i Bashkësisë Lokale të Karaçevës së Poshtme, Selver Lenjani.

    Ky i fundit në një deklarim për Reporteri.net ka paralajmëruar protesta nëse Kastrati nuk tërhiqet nga vendimi i tij

    Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti e quajti çasje arbitrare vendimin e Kastratit, duke mbyllur shkolla pa dakordim me komunitetin.

    Ndaj deklarimit të Hotit ka reaguar kreu i  Kamenicës i cili përmes një shkrimi të postuar në Facebook ka dhënë arsyet e tij që quan deri tek vendim, derisa iu është kundërpërgjigjur Hotit duke e ftuar atë të shkoi të vizitojë shkollat në komunën e tij, për të parë gjendjen e këtyre institucioneve.

    “Nëse vërtetë është i shqetësuar z. Hoti, e ftojmë të vijë në Komunën e Kamenicës dhe të vizitojë shkollën me tre nxënës në Gjyrishec, apo Sedllar me një nxënës. Apo 37% të shkollave të Kamenicës që nuk kanë mjedis higjienik. Tridhjetë e shtatë përqind. Jo 5 përqind. Jo 10. Gati gjysma e shkollave në Komunën e Kamenicës nuk kanë as mjedis higjienik. Lista e problemeve në shkolla është e gjatë. Dhe është nxënësi i Kamenicës që po përballet me këto probleme”, ka shkruar Kastrati në Facebook shkruan Reporteri.net.

    Ai më tej thotë se komuna që drejton ai s’është arbitrare, por vendimi i Ministrisë së Arsimit.

    “Arbitrar nuk jemi ne z. Hoti, por është Udhëzimi i MASHT-it për Planifikimin e Investimeve Kapitale, përkatësisht neni 3, pika 2 dhe nënpikat e tij, që e pamundëson planifikimin dhe renovimin e shkollave fillore dhe të mesme me më pak se 210 nxënës, e paraleleve të ndara me më pak se 84 nxënës. Arbitrare ka qenë indiferenca e pushteteve që nga paslufta, e që një pjesë të madhe ka qenë edhe partia juaj, për të vepruar në këtë drejtim. Andaj, nëse vërtetë jeni i shqetësuar, ejani shiheni vet dhe do të bindeni”, ka shkruar Kastrati.

    Por interesant është fakti se Kastrati nuk e ka thënë asnjë fjalë konkretisht për fshatin Karaçevë e Poshtme që është në kufi me Serbinë, pasi Hoti ka publikuar letrën e kryetarit të këtij fshati, Selver Lenjani, i cili u ka dërguar krerëve të shtetit e kryetarëve të Grupeve Parlamentare prej të cilëve kërkon që ta stopojnë kreun e Kamenicës. /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!