×
  • Lajme
  • Lajme / Krijimi i mazhorancës së re

    “Qeveri pa VV s’mund të imagjinohet”, “Jo koalicion me Kurtin”, deklaratat e fundit të zyrtarëve të partive

    Reporteri
    08 Mars 2025 | 8:53

    Tashmë kur ka përfunduar numërimi i votave, kryeministri i vendit, Albin Kurti është pyetur se kur pritet të fillojë konsultimet për krijimin e qeverisë së re.

    Por, Kurti ka shmangur pyetjen e gazetarëve duke thënë se një herë “duhet të vijë certifikimi i rezultateve”, duke mos folur për një koalicion të mundshëm me ndonjë nga partitë që ishin në opozitë.

    Ndërsa nga partia që i ka fituar zgjedhjet insistojnë se nuk do të ketë qeveri të re pa ta, në anën tjetër partitë që ishin së fundmi në opozitë, PDK, LDK e AAK deri më tani kategorikisht kanë mohuar një koalicion me partinë e Kurtit, shkruan Reporteri.net.

    Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka deklaruar së fundmi se nuk mund të imagjinohet asesi një qeveri tjetër e formuar pa prezencën e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi sipas tij kjo kjo forcë politike ka besimin më të madh të qytetarëve.

    “Nuk mund të imagjinohet në asnjë mënyrë një qeveri e re pa prezencën e Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo për shkak se si subjekt politik dhe si kanidat për kryeministër, kjo forcë politike ka besimin më të madh të qytetarëve. Përgjegjësia bie mbi ne si fitues të zgjedhjeve, na duhet stabilitet dhe një qeveri efektive”, tha Peci për Gazetën Blic.

    Nga PDK shprehen kategorikisht pro një koalicioni me VV-në.

    Bernard Nikaj i PDK-së  ka rikonfirmuar qëndrimin e prerë të PDK-së që me asnjë kusht s’shkon me Vetëvendosjen në koalicion. Madje as nëse VV-ja ua ofron postin e Kryeministrit atyre.

    “Për PDK-në ne nuk parashohim një bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje dhe qeverisje me ta. Ma përpara rrijmë në opozitë, e preferojnë një qeveri të themeluar nga partitë që janë në opozitë”, tha Nikaj në Pressing.

    “Nuk jemi të interesuar për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, as me kryeministër”, tha Nikaj.

    “Nuk hyjmë me LVV-në, do të përpiqemi ta themelojmë qeverinë e opozitës nëse na vjen rendi kushtetues me themelu qeverinë e opozitës”, u shpreh Nikaj.

    Visar Azemi nga LDK-ja ka shprehur qëndrim të prerë se ky subjekt politik nuk qeverisë bashkë me VV-në.

    I pyetur se nëse opozita e formon qeverinë a do të hyjë LDK-ja, ai thotë se do të presin se si do të veprojë partia që ka marrë 41 për qindëshin e votave.

    “Ne po e presim kryetarin e LVV-së, le ta bëjë hapin i pari, le ta bëjë vetë formimin e qeverisë, pastaj shohim… mesazhin e kryetarit Abdixhiku a e keni kuptuar? Nëse jo, unë po ua them direkt. Nuk shkojmë në qeverisje me LVV-në. Qeverinë në mandatë e ka me formua partia që ka fituar. Ne i përgjigjemi elektoratit që na kanë dhënë vendin e tretë me qëndrua në opozitë. Ndoshta edhe PDK-ja nuk shkon… ndërsa numrat nuk e vendosin bashkë që LVV-ja e LDK-ja të jenë në opozitë, se s’ka numra të tjerë”.

    “Veprimet kushtetuese nga partia e parë që e ka marrë mandatin me formua qeverinë i presim deri në fund për të dhënë pastaj mendime, vendime e tjera. Duhet të presim deri në formimin e qeverisë që ka dalë me 41 për qind të votave”, deklaroi Azemi në Tëvë1.

    Edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur kundër një koalicioni me VV-në, duke thënë se opozita duhet të bashkohet për ta bërë Qeverinë e re të Kosovës.

    Ai ka përjashtuar çdo mundësi të bashkëpunimit me Kurtin për qeverinë e re.

    Për dallim nga PDK e AAK, kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, në një intervistë dhënë më 20 shkurt në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini, kishte thënë se nuk ka vija të kuqe ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, çka ngjalli reagime të shumta.

    “Kush më fton në tavolinë unë shkoj ulna për tema nacionale Çka po të vynë një qeveri jo funksionale, kurrë. Nuk hy në një qeveri jofunksionale. As me opozitën nuk e përjashtojë që ulem”, kishte deklaruar Limaj.

    Por, Zafir Berisha, nga NISMA ka bërë një reagim lidhur me debatin që ka nxitur një intervistë e shefit të tij të partisë, duke thënë se me kompetencë thotë që “NISMA s’bën koalicion me Serbi”, dhe siç shprehet ai, NISMA është për një qeveri të opozitës dhe me AAK-në do të funksionojnë si një grup parlamentar.

    “1. NISMA është për qeveri të opozitës. 2.NISMA dhe AAK do të funksionoj si një grup parlamentar në Kuvend. 3.NISMA nuk mundet me ja u çelikos zemrat e plastikës dy partive të mëdha opozitare!”, ka shkruar Berisha ndër të tjera në Facebook.

    Gjatë së mërkurës ka përfunduar numërimi i votave të zgjedhjes së 9 shkurtit, ndërsa pritet shpallja e rezultateve përfundimtare dhe certifikimi i tyre. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!